Aleanca Kuq e Zi kundër vizitës së Ramës në Beograd, e përcjellin me protestë
Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, nesër në aeroportin e Rinasit, ku edhe do të niset për vizitën e tij në Serbi, nuk do ta përcjellin vetëm mediat.
Lajme
Është Aleanca Kuq e Zi, e cila do të protestoj nesër në aeroportin e Rinas-it, për të kundërshtuar kështu, vizitën e kryeministrit Shqiptar në shtetin serb.
Udhëheqësi i kësaj Aleance, Kreshnik Spahiu, ka thënë për KosovaPress, se kryeministri shqiptar, me këtë vizitë do t’i bëjë nder vetëm shtetit serb.
Spahiu, e konsideron vizitën e kryeministrit Rama, vetëm si një ‘PR’ për ngritjen e shtetit serb.
“Nga vet vendndodhja e realizimit të kësaj vizite, sepse, nuk realizohet në Shqipëri, por në Serbi. Vizitë kjo, për të treguar se Serbia është e qëndrueshme, dhe është shtet që garanton stabilitetin dhe paqen dhe pas kësaj nuk do të jetë Shqipëria, por serbet dhe shteti i tyre të cilët do të përfitojnë politikisht”, ka thënë Spahiu për KosovaPress.
Protesta e Aleancës Kuq e Zi, sipas Kreshnik Spahiut, do të filloj qysh në orët e para të mëngjesit, me një banderolë gjigante ku shkruhet “Kosova është Shqipëri”.
Aleanca Kuq e Zi, do t’i bëjë thirrje kryeministrit Edi Rama, që fjalët “Kosova është Shqipëri”, t’i thotë edhe ai mu në mes të Serbisë, ashtu siç kishte vepruar patriarku Irinej në Shqipëri, ku nga goja nxjerri fjalët “Kosova është Serbi”.
“Ajo çfarë kërkojmë ne nga Edi Rama, është se ai duhet të deklaroj atë çka është e vërtet. T’u thotë atyre në sytë e gjithë perëndimit dhe botës, duke thënë hapur se Kosova është djep i Shqiptarëve. Askush nuk duhet ta mohojë kombin”, ka thënë Spahiu për KosovaPress.
Një gjë që duhet ta ketë parasysh Edi Rama në Beograd, sipas Aleancës Kuq e Zi, është edhe kërkimfalja për gjenocidin në Kosovë, që Rama duhet ta kërkojë nga shteti serb.
“Ne nuk duhet ta harrojmë gjenocidin serb ndaj shqiptarëve. Askush nuk mundet të shkoj e të ulet i barabartë në mes të Beogradit nëse Serbia nuk kërkon falje ndaj shqiptarëve dhe asaj çfarë ka bërë për vite të tëra. Jo vetëm Edi Rama, sepse ai e ka për detyrë si kryeministër që është, që të lus serbët të kërkojnë falje për gjenocidin ndaj Kosovës”, thotë Spahiu.
Sipas Spahiut, nuk mund të ketë bashkëjetesë në Ballkan, nëse Serbia nuk kërkon falje ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj popujve të tjerë që ka ushtruar gjenocid ndaj tyre.
Gjithë këto kërkesa, Aleanca Kuq e Zi, do t’i bëjë përmes një proteste të qetë dhe paqësore, duke mos dashur t’i tregojnë botës se shqiptarët janë të dhunshëm.
Ata, krejt çka kërkojnë, është që ‘askush mos ta nëpërkëmb dinjitetin dhe integritetin e shqiptarëve’.