Albini ju tregon kushtet britanikëve

Në Lëvizjen Vetëvendosje, sot kanë pritur në takim Dashiell Caldwell, Drejtor për Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë, të Departamentit për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe. Kurti me këtë rast i ka treguar atij kushtet që i ka Vetëvendosje, për mbështetje të koalicionit paszgjedhor të opozitës. 

Lajme

23/06/2014 15:16

Caldwell në këtë takim ishte i shoqëruar edhe nga Ambasadori i Britanisë në Kosovë. 

Duke folur për situatën politike në vend, posaçërisht për zhvillimet pas zgjedhjeve të 8 qershorit, Kurti u ka folur Caldwell-it e Cliff-it për tre fazat e Vetëvendosjes në lidhje me bllokun opozitar. 

Në një njoftim për media të Vetëvendosjes thuhet se, i kanë thënë zyrtarit britanik t’i kenë shpalosur tri fazat ku ka thënë se pas kalimit të fazës së parë, që është kundërshtimi për Qeveri Thaçi 3, janë në fazën e dytë e cila konsiston në atë se çfarë nuk duhet të bëjë Qeveria e ardhshme. 

“Ne kemi thënë se janë 3 faza. E para, për të cilën kemi arritur dakordim shumë të shpejtë me të gjithë ishte që nuk do të ketë Thaçi 3. Aktualisht jemi në fazën e dytë e cila konsiston në atë se çfarë nuk duhet të bëjë Qeveria e ardhshme dhe me këtë rast ne kemi paraqitur kriteret tona, e që janë pezullimi i dialogut me Serbinë dhe ndalja e privatizimit”. 

“Nëse e mbarojmë me sukses fazën e dytë, atëherë do të kalojmë në fazën e tretë e cila lidhet me se çfarë duhet të bëjë Qeveria e re”, tha Kurti. 

Takimi i zyrtarëve britanik në Vetëvendosje është zhvilluar pas takimit që ata kanë pasur në mëngjes me kryeministrin në detyrë Hashim Thaçi. (lajmi.net)