Albin Kurti viziton fotografin Hazir Reka, “dëshmitarin e kohës” – Ai ia dhuron një fotografi të tij me megafon në protestë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka vizituar në Nerodime të Ferizajt fotografin Hazir Reka, për të cilin thotë se “është një dëshmitar i qetë dhe i thellë i kohës sonë”. Reka ia dhuroi Kurtit një fotografi që tregon liderin e Lëvizjes Vetëvendosje me një megafon në dorë, në një prej protestave që i organizonte…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka vizituar në Nerodime të Ferizajt fotografin Hazir Reka, për të cilin thotë se “është një dëshmitar i qetë dhe i thellë i kohës sonë”.
Reka ia dhuroi Kurtit një fotografi që tregon liderin e Lëvizjes Vetëvendosje me një megafon në dorë, në një prej protestave që i organizonte kjo parti.
“Përmes fotografisë, ai ka ruajtur tensione të ngjarjeve, pesha të gjendjeve, fytyra të papara, ku pritja bashkon ankthin me shpresën, kurse dinjiteti ndan dhimbjen nga frika. Ai dokumentoi guxim dhe krenari, vuajtje dhe rreziqe, që populli ynë i përjetoi përgjatë tri dekadave. Veprat e produktet, mjetet e aparatet e tij, po i arkivon dhe ekspozon në studion e tij të veçantë në fshatin e lindjes Nerodime të Ferizajt, në një ambient aq të këndshëm e përplot bukuri”, shkroi ai në një postim në Facebook pas kësaj vizite.
Kurti tha se fotografia e Rekës është “kujtesë publike që reziston me estetikë dhe akt i ndërgjegjes që përgjigjet me qytetari”.
“Duke regjistruar atë që sheh na sjell e rikthen të gjithëve në vendin ku janë shkrepur fotografitë. Familjarizimi që bën është edukim që na bëhet. Haziri pret për atë që është – ndoshta, porsi historia e heshtur që pret dëshmitarët si Haziri”, shkroi Kurti.
“E falënderoj përzemërsisht bashkë me familjen e tij për mikpritjen e ngrohtë, për kohën, respektin dhe bujarinë që na dhuruan. I uroj shëndet, frymëzim dhe suksese të mëtejshme”, shtoi ai.