Albin Kurti për vdekjen e Rexhep Qosjes: U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e vlerësuar si një figurë të jashtëzakonshme të kulturës dhe mendimit shqiptar. Në reagimin e tij, Kurti theksoi se trashëgimia e Qosjes do të vazhdojë të jetojë përtej kohës së tij. “Vepra e tij padyshim që do të jetojë…

Lajme

23/04/2026 17:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e vlerësuar si një figurë të jashtëzakonshme të kulturës dhe mendimit shqiptar.

Në reagimin e tij, Kurti theksoi se trashëgimia e Qosjes do të vazhdojë të jetojë përtej kohës së tij. “Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin”, u shpreh ai, transmeton lajmi.net.

Duke folur për krijimtarinë e gjerë të akademikut, Kurti nënvizoi se librat e tij tashmë do të marrin kuptime të reja për lexuesit: “Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj”.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Qosjes si studiues dhe njohës i thellë i historisë kombëtare, duke theksuar se “askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë, si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja”.

Kurti e përshkroi atë si një figurë shumëdimensionale në jetën akademike, letrare dhe publike: “Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar”.

Në fund të reagimit të tij, ai theksoi kontributin e rrallë të Qosjes për kombin shqiptar dhe qëndrueshmërinë e tij përballë sfidave: “Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë dhe njëkohësisht aq shumë u sulmua”.

“U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra”, përfundoi Kurti.

Postimi i plotë: 

Ngushëllimi na vjen prej jetës së tillë
Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin.
Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave.
Natyrisht që askush nuk do të mund të thotë që ky apo ai shkrimtar a veprimtar ishte rilindasi ynë i fundit. Por sigurisht që të gjithë duhet ta themi që askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja.
Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur.
Shkruante edhe për shkak se kishte lexuar shumë. Shkruante shumë sidomos për shkak se kishte çfarë të thoshte. Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve e kanë për autorë vetë atë, në bibliotekën e secilit prej nesh.
Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij. Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur.
Dy muaj pa i mbushur nëntë dekada që ia kanë vlejtur fort për shqiptarët mbarë. U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra./lajmi.net/