Albin Kurti nuk heq dorë nga marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në
Lëvizja Vetëvendosje të dielën ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
Lajme
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, assesi të heq dorë nga marrëveshja për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për medie të lëshuar nga Vetëvendosje për diskutimet që janë zhvilluar të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti politik, shkruan lajmi.net.
“Por nga aspekti i perspektivës, viti i shkuar ishte i rëndësishëm, sepse edhe një herë Lëvizja VETËVENDOSJE! shënoi rritje elektorale, duke dalë sërish e para e duke fituar të drejtën për të themeluar qeverinë. Albin Kurti theksoi edhe një herë vendosmërinë dhe përkushtimin e Lëvizjes për ta përmbushur mandatin që votuesit na e dhanë, duke parë si partner të vetëm për koalicion Lidhjen Demokratike të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Vetëvendosjes.
Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:
Sot zhvilloi punimet Mbledhja XXXIX e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Siç është tradita, kryesuesi i Këshillit, Hydajet Hyseni ftoi që të mbajë fjalën hapëse kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti.
Ai shpjegoi se si viti që po mbyllet ka qenë vit i humbur, nga këndvështrimi i interesave shtetërorë të Kosovës.
Një qeverisje e paaftë dhe e kapur, ka shënuar dobësim e regres si në politikën e jashtme ashtu edhe në sferat e brendshme të zhvillimit ekonomik, drejtësisë, arsimit e shëndetësisë.
Por nga aspekti i perspektivës, viti i shkuar ishte i rëndësishëm, sepse edhe një herë Lëvizja VETËVENDOSJE! shënoi rritje elektorale, duke dalë sërish e para e duke fituar të drejtën për të themeluar qeverinë.
Albin Kurti theksoi edhe një herë vendosmërinë dhe përkushtimin e Lëvizjes për ta përmbushur mandatin që votuesit na e dhanë, duke parë si partner të vetëm për koalicion Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Këshilli i Përgjithshëm përshëndeti dy aktivistët, Glauk Konjufcën dhe Arbërie Nagavcin, të cilët u zgjodhën nga Kuvendi i Kosovës si kryetari e nënkryetarja e organit më të lartë të Republikës.
Më pas vijuan diskutimet e debatet mbi situatën politike, sfidat e brendshme e ato rajonale, si dhe u shtjelluan nevoja për përforcime strukturore të Lëvizjes, për të fuqizuar pjesëmarrjen e grave, të rinjve e mërgatës. /Lajmi.net/