Albin Kurti nuk e thyen rekordin e Vjosa Osmanit, Presidentja mbetet njeriu më i votuar në historinë e Kosovës

Tashmë janë bërë publike votat që kandidatët morën në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nga këto zgjedhje surpriza pati edhe në numrin e votave që morën subjektet politike, por edhe tek kandidatët. Deri më tani sipas të dhënave të publikuara lideri i VV-së si kandidat për kryeministër në këto zgjedhje mori 222 mijë e 382 vota.…

Lajme

19/02/2025 10:06

Tashmë janë bërë publike votat që kandidatët morën në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Nga këto zgjedhje surpriza pati edhe në numrin e votave që morën subjektet politike, por edhe tek kandidatët.

Deri më tani sipas të dhënave të publikuara lideri i VV-së si kandidat për kryeministër në këto zgjedhje mori 222 mijë e 382 vota.

Por siç duket Kurti nuk arriti të kalojë numrin e votave që pati marrë Vjosa Osmani më 2021.

Sipas këtyre të dhënave, Vjosa Osmani vazhdon të mbetet personi më i votuar në historinë e Kosovës me 300 mijë e 756 vota në zgjedhjet e vitit 2021, kur garoi në një listë të përbashkët me Albin Kurti, me një diferencë prej 78 mijë e 374 vota më shumë se sa që mori Kurti këtë herë, transmeton lajmi.net.

Kurti atëherë nuk mundi të hyjë në listën zgjedhore e partisë së tij për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt për shkak se atëherë Gjykata Supreme kishte vendosur se çdo kush që është i dënuar në tri vitet e fundit me një vendim gjykate të shkallës së prerë nuk do të mund të konkurronte në zgjedhje.

Kurti ishte dënuar për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Megjithatë, numri 1 në listën e Vetëvendosjes mbeti i zbrazët, ndërsa Osmani arriti të grumbullojë votat duke mbajtur numrin 2 në listë.

Osmani dhe Kurti kishin nënshkruar një marrëveshje në janar të vitit 2021 për të garuar në një listë të përbashkët, ndërsa kanë pasë dakordim edhe për postet që Osmani ta drejtojë Presidencën dhe Kurti Kryeministrinë./Lajmi.net/