Albana publikon mesazhet që thotë se i vinin nga mjeku që e përndiqte, Behar Kamberi: “Jam i bukur dhe intelektual”
Gazetarja sportive Albana Bejko, ka rrëfyer për herë të parë historinë e saj me mjekun nga Kosova që pretendon se e përndiqte intensivisht, Behar Kamberi. Ajo tha se përndjekja ka ndodhur prej më shumë se një viti, deri sa ajo iu drejtua institucioneve dhe e denoncoi, gjë që çoi më pas në arrestimin e tij.…

Lajme
Gazetarja sportive Albana Bejko, ka rrëfyer për herë të parë historinë e saj me mjekun nga Kosova që pretendon se e përndiqte intensivisht, Behar Kamberi.
Ajo tha se përndjekja ka ndodhur prej më shumë se një viti, deri sa ajo iu drejtua institucioneve dhe e denoncoi, gjë që çoi më pas në arrestimin e tij.
Për herë të parë, ajo ka shfaqur edhe mesazhet që pretendon se ai i dërgonte, duke i thënë se “ishte burri i saj i ëndrrave” dhe se “e donte shumë” dhe donte të martohej me të.
“Një moment i frikshëm ishte kur në ambientet ku unë punoj, personi u afrua më kërkoi që të uleshim për kafe, në atë moment reagimi ishte instiktiv, i trembur, i thash ‘të lutem mu hiq qafe’. Kaluan 4 djem në atë moment, dhe kjo e trembi pak. Periudha intensive e përndjekjes ka qenë qershor i vitit të shkuar deri para pak ditësh, dhe unë më pas telefonave policinë”, tha ajo në TopChannel.
“Përshëndetje Albanë nga Behari. Unë jam burrë ideal për ty. Jam doktor intelektual, gentleman, i bukur dhe i sinqertë. Ne të dy gjithnjë kemi komunikuar dhe do të komunikojmë mirë dhe shëndetshëm. Kam gjendje të mirë financiare dhe shëtis botën”.
“Këto janë tiparet që përmbush kështu që mos hezito më. Por eja martohemi dhe jetojmë së bashku në një banesë këtu në Prishtinë por edhe në Tiranë. Ku ti përsëris krejt gjërat ke me i pas dhe me i cu në vend, asgjë ska për të munguar”.
“Ti do vazhdosh të punosh si tani. Albanë më merr në konsideratë kur unë jam mashkull ideal që të bëj propozim për martesë. Pres reflektim nga ti”, ishte një nga mesazhet që ai i dërgonte gazetares, siç pretendon ajo.
“Përshëndetje. Tashmë pasi që ne po njihemi që një kohë të gjatë dhe kështu kemi biseduar live kohë pas kohe, kemi bërë foto, kemi biseduar në telefon dhe të kam shkruar në email. Unë kam një ftesë për kafe me ty. Me qellim që të vazhdojmë komunikimin dhe të diskutojmë për së rrafshi në tavolinë”.
“Pasi që edhe ti ma ke konfirmuar kërkesën që na dy të pijmë kafe së bashku. Me rëndësi është që edhe ti me qën e kënaqur dhe me ndje veten tande mirë. Kur të konvenon dhe kur është mirë për ju. Jam në pritje, më lajmëro. Behari, Albana, më të mirat”, pretendon Albana të jetë një tjetër mesazh i dërguar nga Behar Kamberi.
“Përshëndetje Albana nga Behari. Është kënaqësi që u takova mbrëmë dhe u njoha për së afërmi me ty. Nderimi im është që bëra foto me ty. Shumë jam i lumtur që fola me ty dhe të çmoj shumë, moj vajza më e bukur e Shqipërisë. Dhe shpresoj që së shpejti të shihemi dhe të pimë edhe nga një kafe”.
“Të ftoj me ardh në Prishtinë. Ti gjithmonë më ke pëlqyer si person dhe besoj që do të kemi të mira. Me respekt nga Behari. Të dua shumë Albana”, është tjetri mesazh që Albana pretendon se i ka ardhur nga Behar Kamberi.
Behar Kamberi, një mjek psikiatër nga Kosova, është arrestuar më 28 shtator pasi akuzohet për përndjekje ndaj moderatores së njohur sportive, Albana Bejko.
Top Channel raportonte se sipas specialistëve për hetimin e krimeve në Komisariatin Nr. 2 në Tiranë, mjeku 42-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka përndjekur një 28-vjeçare, duke u shfaqur disa herë pranë banesës së saj.
Sipas raportimit, Kamberi në atë kohë ndodhej në qelinë e burgut “Mine Peza”, pasi u kap nga efektivët e policisë, ndërsa moderatorja kishte planifikuar skenën, duke e ftuar në një takim në një zonë të Tiranës.
I njëjti është paraqitur në vendin e takimit dhe është arrestuar nga oficerët e Komisariatit Nr. 2 të Tiranës, ku ndaj tij rëndon akuza për veprën penale të përndjekjes, ndërsa hetimet janë në vijim.