Alban Dezdari për sulmin në biznesin e familjes: “Kjo është nga Demë Elshani kundër vëllait tim”

Alban Dezdari e ka akuzuar Demë Elshanin, anëtarin e familjes Elshani nga Peja, për porositjen e sulmit me mjet shpërthyes në biznesin e familjes së tij mesnatën e të enjtes. Dezdari, një i dënuar nga gjykata për rastin e vrasjes së dy policëve të UNMIK-ut më 2004, tha sot për Paparacin se motivi i sulmit…

Lajme

23/01/2025 15:45

Alban Dezdari e ka akuzuar Demë Elshanin, anëtarin e familjes Elshani nga Peja, për porositjen e sulmit me mjet shpërthyes në biznesin e familjes së tij mesnatën e të enjtes.

Dezdari, një i dënuar nga gjykata për rastin e vrasjes së dy policëve të UNMIK-ut më 2004, tha sot për Paparacin se motivi i sulmit është hakmarrja e Demë Elshanit ndaj vëllait të tij.

Elshani është një person me të kaluar të dyshimtë, i cili ka vite që jeton jashtë Kosovës. Ai është përfshirë në një konflikt me familjen Buquku nga Peja, ndaj të cilës nipi i tij, Qëndrim Elshani ka dorëzuar një kallëzim penal në polici për kinse një borxh prej dy milionë eurove. Në vitin 2023 disa incidente të ndodhura në Pejë, dyshohet se kanë ndërlidhje me këtë konflikt.

Edhe Alban Dezdari është përmendur në kallëzimin penal të Demë Elshanit ndaj familjes Buquku.

Për arsye që ndërlidhen me këtë ngjarje, Alban Dezdari thotë se vëllai i tij, Kurbin Dezdari, ka pranuar në vazhdimësi kërcënime nga Qëndrim Elshani, nipi i Demë Elshanit.

“Kam pasur vazhdimisht kërcënime. Vëllai im personalisht ai ka pasur, jo unë. [Kërcënimet] lidhen me një deklaratë për zbardhjen e një rasti që ka ndodhur në një biznes tjetër”, ka thënë Alban Dezdari të enjten.

Ai ka thënë se vëllai i tij është kërcënuar direkt nga Demë Elshani.

“Vëllain tim e ka kërcënuar personalisht Demë Elshani. Së pari e kanë thirrur për një deklaratë për zbardhjen e rastit të një biznesi tjetër, që ai [Elshani, v.j] e ka gjujtë një biznes tjetër”, ka thënë Alban Dezdari.

Sipas Alban Dezdarit, Demë Elshani e ka porositur vëllain e tij që të tërhiqet nga deklarata dhe t’ia paguajë atij 50 mijë euro në formë gjobe.

“Pastaj, e kanë thirrur gruan e vëllait në ora 3 të natës dhe i kanë dërgu mesazh: ‘Keni dëshmu familja juaj, keni më tërheq deklaratën në polici dhe keni me pagu 50 mijë euro gjobë’”, ka thënë Dezdari. “Ne nuk kemi reagu. Kemi qëndru në heshtje, e pastaj pas një jave ka ardhur Qëndrim Elshani, vet i dyti, i armatosur dhe e ka kërcënuar vëllain tim i ka thënë ‘A e ke marrë selamin prej Demës?’ dhe se ‘je i detyrum me tërheq deklaratën dhe me i pagu 50 mijë euro cash’”.

Dezdari tha se këto incidente kanë ndodhur gjatë verës së vitit të kaluar. Tha se rastet janë të lajmëruara në polici.

“Pastaj sërish pas një jave, Qëndrim Elshani vet i dyti e ka ndal makinën afër rrugës dhe i ka thënë vëllait ‘premtimin me majtë edhe sa ma shpejt me i bë paret, se përndryshe të pret më e keqja’ dhe ia ka qitë kallashin në fyt. Edhe këtë rast e kemi lajmëru në Polici”, ka thënë Dezdari.

Paparaci, raportoi disa javë më parë për një kallëzim penal të Qëndrim Elshanit, të porositur nga xhaxhai i tij Demë Elshani, për një borxh prej 2 milionë eurosh të familjes Buquku.

Sipas kallëzimit penal, personi Labinot Lushaj, i cili ka punuar si menaxher i shitjes te Demë Elshani, të hollat që janë fituar nga shitja e makinerive nga marsi 2009 deri në vitin 2015, ia ka huazuar në shuma të konsiderueshme familjes Buquku, konkretisht, Enverit, Jetonit dhe Egzonit.

Mirëpo Lushaj në një përgjigje për Paparacin e kishte mohuar përfshirjen.

“Nuk është e vërtetë. Jo, nuk është e vërtetë. Nuk kam të bëjë asgjë me Demë Elshanin. Unë në kompaninë Buquku punoj prej vitit 2012”, ka thënë shkurt Labinot Lushaj.

Adem Elshani, i njohur si “Dema”, pretendonte se fqinjët e tij (familja Buquku) i kanë borxh në shumën prej 2 milionë eurove.

Demë Elshani ndodhet në kërkim nga Policia e Kosovës pasi që dyshohet për disa vepra penale, përfshirë edhe vrasje të rëndë e tentim vrasje. Për të njëjtin kishte fletarrest ndërkombëtar që nga viti 2017.