Alarmon drejtoresha e arsimit në Gjakovë: Nxënësit po blejnë armë online

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova-Baçi, ka ngritur shqetësimin për dukurinë e armatosjes nxënësve nëpër shkolla.

Lajme

23/03/2022 11:08

Ajo alarmoi duke thënë se këto armë nga nxënësit po blihen në internet, teksa apeloi te prindërit që të jenë më të kujdesshëm dhe t’i kontrollojnë fëmijët e tyre.

“Shqetësuese është blerja online e armëve të ftohta. Apeloj te prindërit të kenë një situatë më të kontrolluar te fëmijët”, tha Kumnova-Baçi në Klan Kosova.

Këto deklaratë ajo e bëri derisa sqaroi rrethanat e aksionit në shkollën “Hajdar Dushi” në Gjakovë, ku policia të martën i gjeti një nxënësi armë dhe thikë, të cilat më pas u konfiskuan nga i mituri.

Policia po ashtu njoftoi se në klasë ishin gjetur edhe shtatë fishekë të kalibrit nëntë milimetra.

“Në konsultim me prokurorin kujdestar për krime të renda, është realizuar bastisja në shtëpinë e të dyshuarit në fshastin Babloq të Deçanit, me ç’rast, është gjetur dhe konfiskuar një armë pistoletë me gazë e llojit Gamo PT80, si dhe 14 fishek të kalibrit 9mm”.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit kujdestar dhe me urdhër të tij i dyshuari është ndaluar për 24 orë në Qendrën e Ndalimit Policor në Gjakovë”, u tha në njoftimin e policisë./Lajmi.net/