Alarmi i papunësisë

Sipas ASK’së, rreth 30.9 për qind të popullsisë në Kosovë janë të papunë. Përfaqësuesi i Bankës Botërore Jan-Peter Olters tha se normat e larta të papunësisë janë alarmante.

Lajme

30/09/2013 13:46

Rreth 30.9 për qind e popullsisë në Kosovë janë të papunë. Këto shifra kanë dalë nga një anketë e bërë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2012. Hulumtimi nxjerr se rreth 2/3 e popullsisë nga mosha 15- 64 vjeçare janë në moshë pune.

Kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, ka thënë se nga popullsia në moshë pune 63.1 për qind nuk janë ekonomikisht aktivë, ndërsa nga 36.9 për qind të popullsisë që është ekonomikisht aktive, 30.9 për qind janë të papunë.

“Shkalla e pjesëmarrjes së popullsisë në fuqinë punëtore, nga personat që janë në moshë pune është 36.9 për qind. Shkalla e papunësisë është më e lartë te femrat, ndërsa më e ulët të meshkujt. Shkalla e papunësisë është më e theksuar te grup moshat e reja”.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters, është shprehur i shqetësuar me situatën alarmante të papunësisë.

“Nuk janë vetëm normat e larta të papunësisë që janë alarmante në 30.9 për qind për 12 muajt e vitit 2012, por janë edhe normat jashtëzakonisht të ulëta të punësimit veçanërisht ato të të rinjve që bëjnë qartësimet e posaçme”.

“Për të qenë më të saktë, është një përqindje shumë e lartë të rinjve që nuk janë të punësuar nuk ndjekin shkollë ose trajnime”.

“Kjo i takon 35.1 për qind të kosovarëve në mes të 15 – 24 të përqindjes së lartë femërore”

Kjo anketë ka përfshirë tërë territorin e Kosovës dhe ka pasur shtrirje në 600 qarqe regjistruese. Me këtë janë intervistuar rreth 4800 ekonomi familjare.