Alarmante: Për një vit 64 të lënduar në Trepçë, shpërfillen vendimet e Inspektoratit të Punës (Dokument)
Raportet e organizatave ndërkombëtare e vendore që merren me të drejtat e punëtorëve, vazhdimisht raportojnë se në Kosovë punëtorët nuk kanë kushte të mirë për punë, ku për pasojë shumë punëtorë lëndohen, por ka edhe që humbin jetën çdo vit. Me lëndime të punëtorëve nuk i ka punët mirë as ndërmarrja “Trepça”, e cila drejtohet nga menaxheri Ahmet Tmava, ku vetëm gjatë vitit të kaluar janë lënduar 64 punëtorë në vendin e punës.

Lajme
Në raporton zyrtar të datës 19.12.2014 të përpiluar nga Inspektorati i Punës, thuhet se në periudhën e përfshirë në Inspektim (1 janar – 30 nëntor 2014) 64 punonjës kanë marrë kompensim të pagës për mungesë nga puna, për shkak të lëndimit në vendim e punës. Pra, lëndimin e tyre në vendin e punës e vërteton kompensimi për lëndim.
Në ndërmarrjen e menaxhuar nga Ahmet Tmava, Inspektorati i Punës ka gjetur parregullsi lidhur me ndihmën e parë që duhet të ju ofrohet punëtorëve në rast të lëndimeve.
“Në njësitë punonjëse: Objektet Administrative të Minierës me Flotacion në Stan Tërg, Menaxhment, Fabrika e Pajimeve të Procesit, Industria e Baterive, Industria Kimike, Mbrojtja dhe Siguria në Punë, Metalugjia e Zinkut, Departamenti i Zhvillimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, FMFJ Skenderaj, QMP dhe Trafostacioni, nuk i kanë pajisur me kuti sanitare, gjegjësisht nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për ndihmën e parë, e obligueshme me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, thuhet në faqe 30 të raportit të Inspektoratit të Punës.
Në lidhje me shëndetin e punëtorëve të Trepçës, Inspektorati i Punës ka evidentuar si shkelje edhe mos dërgimin e punëtorëve në kontrolle mjekësore çdo gjashtë muaj, përkatësisht çdo tri vite, ashtu siç është e obligueshme me Ligjin Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Në fund të këtij raporti të përpiluar më 19.12.2014, thuhet se punëdhënësi sipas Ligjit të Punës dhe Ligjit për Inspektoratin e Punës është i obliguar që brenda afatit prej 15 ditësh të informoj Inspektoratin e Punës me shkrim dhe të dëshmoj me prova eliminimin e këtyre parregullsive.
Mirëpo, edhe përkundër kësaj menaxhmenti i Trepçës me në krye Ahmet Tmavën, nuk është shqetësuar dhe ka shpërfillur rekomandimet dhe vendimet e Inspektoratit të Punës, pasi që nuk ka marrë veprime për t’i eliminuar këto parregullsi. Këtë e vërteton raportin i Inspektoratit të Punës i datës 22 prill 2015, ku në faqe 4 në katër pika thuhet se nuk janë ofruar dëshmi për eliminimin e parregulsive. (veriu.info).