Alain Berset zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i KiE

Këshilli i Evropës zgjodhi ish-presidentin e Zvicrës Alain Berset si sekretar të përgjithshëm të ardhshëm, të martën në mbrëmje. Parlamenti 306 anëtarësh i organizatës për të drejtat e njeriut me bazë në Strasburg mbajti një votim të fshehtë në dy raunde të martën. Berset fitoi raundin e dytë me 114 vota pro të martën pasdite.…

Bota

26/06/2024 08:28

Këshilli i Evropës zgjodhi ish-presidentin e Zvicrës Alain Berset si sekretar të përgjithshëm të ardhshëm, të martën në mbrëmje.

Parlamenti 306 anëtarësh i organizatës për të drejtat e njeriut me bazë në Strasburg mbajti një votim të fshehtë në dy raunde të martën. Berset fitoi raundin e dytë me 114 vota pro të martën pasdite. Ish-ministri i kulturës i Estonisë Indrek Saar mori 85 vota në raundin e dytë dhe kandidati belg Didier Reynders doli i treti me 46 vota, raporton politico.eu.

Këshilli i Evropës ka 46 vende anëtare dhe përfshin Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Është një organ i pavarur, i ndarë nga Bashkimi Evropian. Sekretari i përgjithshëm i saj zgjidhet për pesë vjet.

Siç shkruan politico.eu, humbja e Reynders është një pengesë e madhe për politikanin liberal belg, i cili kandidoi për të udhëhequr Këshillin e Evropës tashmë në vitin 2019, por e humbi edhe atë garë.
Ai pritet të kthehet në Komisionin Evropian si shef i drejtësisë deri në vjeshtë, por është e paqartë se ku do të shkojë më pas, mes një rishikimi të Bashkimit Evropian për mandatin e ardhshëm të Komisionit.

Sekretari i ri Alanin Berset pritet të nisë punën në shtator.

Ai është anëtar i Social Demokratëve dhe shërbeu si president i Zvicrës në 2018 dhe përsëri në 2023. Ai ishte ministër i shëndetësisë dhe i brendshëm gjatë pandemisë COVID-19. Ai njoftoi se do të tërhiqej si president në qershor 2023, duke shtuar në atë kohë se nuk kishte plane konkrete për atë që do të ndodhte më pas.

Sekretarja aktuale e përgjithshme, ish-ministrja e jashtme kroate Marija Pejçinoviq Buriç, nuk kandidoi për një mandat të dytë.