Aktakuzë ndaj tre të dyshuarve në Prizren për shitblerje të substancave narkotike
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj tre të dyshuarve A.E., B.E., dhe T.B me akuzën për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. Sipas aktakuzës, B.E., dhe A.E. nga në kohë e pacaktuar e deri me datë 30.08.2023…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj tre të dyshuarve A.E., B.E., dhe T.B me akuzën për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Sipas aktakuzës, B.E., dhe A.E. nga në kohë e pacaktuar e deri me datë 30.08.2023 në shtëpinë e tyre në Zhur por edhe në qytetin e Prizrenit kanë shpërndarë dhe ofruar për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë dhe atë të llojit “kokaina”.
“Gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore më datë 30.08.2023, i pandehuri A.E., derisa ishte duke drejtuar veturën e markës ‘Fiat Croma’ në Prizren, arrestohet dhe nga i njëjti sekuestrohen dy (2) qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 2.55 gram, përderisa në të njëjtën kohë gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar një peshore digjitale ngjyrë e zezë, dhe 45 (dyzetë e pesë) qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 23.04 gram, tri (3) qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 52.34 gram dhe një qese najloni në peshë prej 1.76 gram, të cilat substanca narkotike pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezultojnë të jenë të llojit kokainë, nga matjet neto me peshë të përgjithshme prej 65.76 gram”, thuhet në njoftimin për media.
Prokuroria njofton se me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
I pandehuri T.B., thuhet se me dashje ka ndihmuar të pandehurit e lartcekur në kryerjen e veprës penale, duke iu siguruar klientë të ndryshëm për blerje të narkotikut.
Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.