Aktakuzë ndaj tre personave dhe një kompanie në Suharekë, dëmtuan buxhetin e komunës për mbi 13 mijë euro
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj B.K. dhe E.Sh. nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj D.S. dhe personit juridik “S.C.O” Sh.P.K. për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”. “Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj B.K. dhe E.Sh. nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj D.S. dhe personit juridik “S.C.O” Sh.P.K. për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe kundër D.S., dhe personit juridik “S.C.O” Sh.P.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415 par.3 lidhur me par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”
Sipas aktakuzës “prej datës 13.07.2022 e deri me datën 12.12.2022 në Suharekë, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtar dhe atë, i pandehuri B.K., – Zyrtar i lartë për Menaxhimin e Projekteve në Komunën e Suharekës, i caktuar si Menaxher i Projektit të prokurimit me titullin e kontratës ‘’ Ndërtimi i rrugëve lokale Lot 8-lot5 Nëntori i dytë, ‘’Xhemajl Morina’’, Mehmet Bytyqi segment në Reshtan’’ si dhe i pandehuri E.Sh., i caktuar si Mbikëqyrës i Drejtpërdrejtë i Menaxherit të kontratës në projektin e njëjtë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, me dashje i tejkalojnë kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj dhe veprojnë në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik dhe Rregulloren për prokurimin publik, ku nga provat e siguruara rezulton se të hollat në vlerë prej 24.945.32 euro janë paguar për operatorin ekonomik, e që në realitet rrugët nuk janë shtruar ashtu siç ishte paraparë në kontratë. Të pandehurit, përpilojnë raporte fiktive dhe të rrejshme, dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse punimet janë realizuar sipas kontratës, edhe pse ka pasur ndryshime në mes të sasisë së kontraktuar dhe asaj të realizuar duke përfshirë materialin e planifikuar, gjatësinë dhe gjerësinë e rrugëve e pikërisht gjendja reale e vlerës së punimeve të kryera është më e vogël se vlera e punimeve të parapara në këtë kontratë edhe atë në punët paraprake, ku në përgjithësi vlera e punimeve të realizuara është 13,272.66 euro më pak se vlera e paraparë në kontratë, e që në realitet këto punime më vonë realizohen me kontratën e datës 22.11.2022 me titull “Ndërtimi i rrugëve lokale Nëntori i dytë, ‘’Xhemajl Morina’’, Mehmet Bytyqi segment, etj në Reshtan – faza e dytë’’, e si pasojë Komunës së Suharekës i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 13,272.66 €uro”.
“Me këto veprime në cilësi të bashkëkryerësve të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të KPRK-së.”
Ndërsa, i pandehuri D.S., si person përgjegjës në personin juridik prej datës 13.07.2022 e deri me datën 12.12.2022 në Suharekë, dhe në fshatin Reshtan, duke vepruar në cilësi të bashkëpronarit dhe si përfaqësues i autorizuar –Drejtor i kompanisë “S.C.O.” Sh.P.K, dhe i pandehuri personi juridik “S.C.O” Sh.P.K., me dashje shkelin procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbatojnë detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, me qëllim të përfitimit për vete, duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës.
“I pandehuri D.S., në bashkëveprim me personat zyrtar të Komunës së Suharekës e pikërisht me menaxherin e kontratës B.K., përpilojnë procesverbale, situacione fiktive si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve përmes kompanisë së tij, kështu që i pandehuri D.S., me datë 15.08.2022 lëshon faturën me numër 16 e cila është dorëzuar në Komunën e Suharekës me datën 13.09.2022 në vlerë prej 15,000.00 euro dhe faturën me numër 35 të datës 06.12.2022 të pranuar në Komunën e Suharekës me datën 20.12.2022 në vlerë prej 9,945.32 euro për realizim të punëve, duke vazhduar bashkëpunimin me zyrtarët komunal të lartëcekur përpilojnë raportin e pranimit teknik kinse janë realizuar punimet sipas kontratës, përderisa gjendja në teren ka qenë e parealizuar, e cila vërtetohet nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë. Me këto veprime i pandehuri ka përfituar dobi pasurore të kundërligjshme duke i shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 13,272.66 euro.”
“Me këto veprime të njëjtit, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” të KPRK-së.”
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.