Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” do të vazhdojë edhe sot e nesër

Nuk mbaroi vetëm me 22 maj, ku u organizua aksioni më i madh ndonjëherë për pastrimin e Kosovës. Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” do të vazhdojë edhe sot e nesër me aksione.

Lajme

04/06/2015 09:06

Sot, një organizim i tillë për të pastruar vendin tonë do të nis me pastrimin e një deponie të mbeturinave në lagjen Emshir e cila do të bëhet në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Aksioni do të vazhdoj në Lipjan, më saktësisht në rrugën Lipjan – Rubovc në afërsi të fshatit Gllogovc, duke filluar nga ora 12:00.

Por ky aksion do të vazhdoj edhe nesër. Promovimi i aktiviteteve do të filloj në Sheshin “Zahir Pajaziti” në orën 10:00, dhe më tutje do të vazhdojë me një varg aksionesh.

Këto aksione po organizohen nga Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, për nder të Ditës Botërore të Mjedisit.

Nga sheshi “Zahir Pajaziti” vullnetarët e iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të zhvendosen në orën 11:00 në kampusin universitar të Universitetit të Prishtinës, ku do të pastrojnë komplet kampusin.

Në të njëjtën kohë aksione do të organizohen edhe në Pejë, Mitrovicë e Gjakovë.

“Aksion pastrimi në Pejë: Aktiviteti kryesor pastrimi i deponisë së mbeturinave në lagjen 7 Shtatori dhe në fshatin Kaliqan, në hyrje-dalje të qyteteve Pejë dhe Istog; 10:00 – Aksion për pastrimin e qytetit dhe ngjyrosje e drurëve dekorativë, Mitrovicë. Mbledhja e vullnetarëve do të bëhet te ndërtesa e komunës së Mitrovicës; Në aksionin në Mitrovicë, do të marrë pjesë edhe një grup prej 20 të rinjsh nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë shprehur vullnetin të bëhen pjesë e aksionit; 10:00 – Vazhdim i akssionit të pastrimit në lagjen “Emshir”; 13:00 – Aksion për pastrimin e bregut të liqenit të Vërmicës dhe prezantim i projektit për pastrimin nënujor të këtij liqeni; 15:00 – Inaugurimi i parkut në Gjakovë, bashkë me kryetaren Mimoza Kusari – Lila dhe zëvendësministrin e MMPH’së”, është agjenda e pastrimit.