Aksioni i sotëm në ‘Call Center’ – “Eurojust-i” i referohet Kosovës me fusnotë në operacionin kundër mashtrimeve online

Autoritetet, me mbështetjen e Eurojust-it dhe Europol-it, kanë ndërmarrë një operacion ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal që dyshohet se organizonte mashtrime me investime online, duke arrestuar shtatë persona dhe duke sekuestruar mbi 100 serverë. Operacioni është zhvilluar pas disa fazave të mëparshme të hetimeve, përfshirë arrestime dhe kontrolle në vitet 2022 dhe 2025. Sipas autoriteteve,…

Lajme

03/11/2026 14:32

Autoritetet, me mbështetjen e Eurojust-it dhe Europol-it, kanë ndërmarrë një operacion ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal që dyshohet se organizonte mashtrime me investime online, duke arrestuar shtatë persona dhe duke sekuestruar mbi 100 serverë.

Operacioni është zhvilluar pas disa fazave të mëparshme të hetimeve, përfshirë arrestime dhe kontrolle në vitet 2022 dhe 2025. Sipas autoriteteve, skema dyshohet se ka shkaktuar humbje prej më shumë se katër milionë eurosh, raporton lajmi.net

Në njoftimin e Eurojust-it, Kosova përmendet me fusnotë, ku sqarohet se ky emërtim nuk paragjykon qëndrimet për statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Hetimi nisi në vitin 2022, pasi një çift gjerman raportoi se kishte investuar kursimet e tij përmes një platforme online, por nuk kishte arritur të tërhiqte paratë dhe fitimet e pretenduara.

Hetuesit zbuluan një skemë ndërkombëtare, përmes së cilës viktimat në vende të ndryshme joshnin me premtime për fitime të mëdha nga investimet në kriptovaluta, valuta të huaja dhe aksione.

Fillimisht, viktimave u kërkohej të transferonin shuma të vogla parash, ndërsa në platformat online u shfaqeshin fitime të fryra, me qëllim që investimi të dukej i besueshëm.

Aksioni i sotëm në ‘Call Center’| 7 të arrestuar, mbi 4 milionë euro dëme- detaje nga aksioni i sotëm nga Policia në bashkëpunim me “Europol”

 

Më pas, ndërmjetësit e dyshuar ushtronin presion mbi viktimat që të investonin shuma edhe më të mëdha. Kur ato kërkonin të tërhiqnin paratë, mashtruesit përdornin taktika për të zvarritur procesin, derisa përfundimisht zhdukeshin me fondet.

Pas më shumë se katër vitesh hetime, autoritetet zhvilluan disa faza të operacionit, duke arrestuar të dyshuar dhe sekuestruar prova.

Analizimi i materialeve të mbledhura çoi në identifikimin e një kompanie me seli në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se ofronte shërbime kriminale përmes internetit, duke furnizuar grupe të ndryshme me faqe të rreme që përdoreshin për mashtrime online.

Autoritetet identifikuan gjithashtu klientë të dyshuar të kësaj kompanie në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët dyshohet se operonin qendra të thirrjeve për mashtrime.

Gjatë operacionit të fundit, u kontrolluan 17 lokacione, përfshirë një qendër thirrjesh në Kosovë*. Në total, u sekuestruan më shumë se 100 serverë dhe prova të tjera, ndërsa shtatë persona u arrestuan me qëllim të dorëzimit ose ekstradimit në Gjermani.

Eurojust-i bëri të ditur se bashkëpunimi ndërkombëtar ishte vendimtar për zhvillimin e hetimeve. Në kuadër të këtij procesi, u krijuan dy ekipe të përbashkëta hetimore: njëri përfshinte autoritetet gjermane, polake dhe shqiptare, ndërsa tjetri autoritetet shqiptare dhe ato të Kosovës.

Eurojust-i koordinoi veprimet gjyqësore dhe shkëmbimin e informacionit mes shteteve, ndërsa Europol-i ofroi mbështetje analitike dhe dërgoi ekspertë në Shqipëri dhe Kosovë për të ndihmuar në analizimin e provave digjitale dhe verifikimin e të dhënave./Lajmi.net/