AKR dhe deputetë të LDK-së ankohen në Gjykatën Supreme
Aleanca Kosova e Re dhe disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk e kanë ndërmend të ndalen së bëri ankesa, pasi nuk po pajtohen assesi me rezultatet përfundimtare. Kjo do ta shtyjë certifikimin e rezultateve të paktën edhe për tre ditë.

Lajme
Si raporton KTV, rreth 15 ankesa nga këto subjekte i ka pranuar Gjykata Supreme, për shkak se ata nuk pajtohen me vendimin e PZAP-it, i cili urdhëroi rinumërimin e votave në 51 vendvotime.
Gjykata Supreme ka afat 72 orë për të dalë me vendimin për fuqizimin apo jo të këtyre ankesave. E pikërisht shqyrtimi i këtyre ankesave në shkallën e dytë do ta vonojë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit. KQZ-ja do të presë se çka do të vendosë kjo gjykatë dhe më pas të veprojë në bazë të kompetencave.
Rinumërimi i votave të 51 kutive, i cili u bë me urdhër të PZAP-it, pas ankesave nga ana e disa subjekteve politike, nuk ka ndikuar shumë në rezultatin përfundimtar. Certifikimi i rezultateve do t’i hapë rrugë Presidentes për ta caktuar mandatarin e qeverisë, bazuar në afatin ligjor të lejuar.