AKB: Rreth 2 mijë biznese shuhen në Kosovë brenda vitit
Sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve mesatarisht 2 mijë biznese mbyllen në Kosovë brenda një viti, por janë rreth 8 mijë biznese të tjera të reja që hapen po në këtë periudhë kohore. Lidhja e Bizneseve të Kosovës konsideron se ka shumë faktorë që ndikojnë në gjendjen e bizneseve, e cila konsiderohet e brishtë. Njohës të…
Lajme
Sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve mesatarisht 2 mijë biznese mbyllen në Kosovë brenda një viti, por janë rreth 8 mijë biznese të tjera të reja që hapen po në këtë periudhë kohore.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës konsideron se ka shumë faktorë që ndikojnë në gjendjen e bizneseve, e cila konsiderohet e brishtë. Njohës të fushës ndërkaq, vlerësojnë se marrë parasysh ekonominë e dobët, këto shifra janë shqetësuese për vendin.
Shuarja e aktivitetit të bizneseve në Kosovë, kohët e fundit është në rritje. Sipas një hulumtimi nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, brenda një viti mesatarisht mbyllen rreth 2 mijë biznese në Kosovë. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, përveç një numri arsyesh pse bizneset mbyllen ka radhitur edhe mungesën e fuqisë punëtore.
“Nga viti 2002 e këndej mesatarisht bizneset në Kosovë mbyllen rreth 2 mijë e hapen mbi 8 mijë. Nëse analizojmë shkaqet e mbylljes janë më të ndryshmet. Nga ajo pse humbë fuqinë në treg, pse nuk ka mbështetje, pse interesi bankar është i lartë dhe infrastruktura është tepër e shtrejt, duke përfshirë këtu qiranë, energjinë elektrike. Ngarkesat për biznes e fuqia e konkurrencës janë arsye që po mbyllen bizneset e së fundi edhe fuqia punëtore”, tha Shahini për rtv21.
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj thotë se faktorë për mbylljen e bizneseve është gjendja e rëndë ekonomike por edhe një mjedis i vështirë i të bërit biznes.
“Për fat të keq kemi një numër të madh të bizneseve të cilat po mbyllen në Kosovë. Është shqetësues ky numër sepse po jep një mesazh që këtu ka shumë faktor që ndikojnë në gjendjen e bizneseve. Një ndër ta është mesazh i qartë që në Kosovë, gjendja ekonomike dhe të bërit biznes është në gjendje jo të mirë. Ne si Lidhje e Bizneseve kemi kërkuar nga Qeveria vazhdimisht që të ketë ndryshime politike fiskale sepse bizneset janë në gjendje jashtëzakonisht të keqe”, ka thënë Dreshaj.
Sipas tij, bizneset në Kosovë ballafaqohen me sfida të shumta.
“Sigurisht është shqetësuese sepse ekonomia është e dobët. Tu e marrë për bazë edhe importin që e kemi. Realisht institucionet e Kosovës po krenohen me importin që e kena ndërsa bizneset po ballafaqohen me mbylljen si mungesë e aktivitetit ekonomik në Kosovë. Kjo vjen si rezultat i qasjes në financa, kredive tepër të larta, një gjyqësor neglizhent ndaj problematikave ekonomike dhe këto bëjnë që bizneset detyrohen të ndërpresin aktivitetin e tyre”, ka deklaruar Beqiri.
Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, nga marsi i vitit 2021 deri në shtator të këtij viti në Kosovë janë regjistruar mbi 40 mijë biznese. Ndërsa kërkesat për çregjistrimin e bizneseve numërohen mbi 5 mijë, ose rreth 8 për qinq.