AKB kërkon anulim urgjent nga ZRRE: Bizneset nuk mbijetojnë në pasiguri

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike është pezulluar përkohësisht nga Gjykata Komerciale, në një zhvillim që ka nxitur reagime të forta nga komuniteti i biznesit. Pas këtij vendimi, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka dalë me një qëndrim të qartë, duke kërkuar anulimin e menjëhershëm të…

Lajme

31/07/2025 10:56

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike është pezulluar përkohësisht nga Gjykata Komerciale, në një zhvillim që ka nxitur reagime të forta nga komuniteti i biznesit.

Pas këtij vendimi, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka dalë me një qëndrim të qartë, duke kërkuar anulimin e menjëhershëm të vendimit të kontestuar të ZRRE-së, për shkak të pasojave që, sipas tyre, po shkakton ndaj sektorit privat.

“ZRRE-së i kërkohet ta anulojë menjëherë vendimin e kontestuar – Bizneset s’mund të mbijetojnë në pasiguri juridike,” thuhet në reagimin e AKB-së.

Aleanca thotë se e mirëpret vendimin e sotëm të gjykatës dhe shpreh shqetësimin se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është shoqëruar që nga fillimi me mungesë transparence dhe gabime serioze procedurale, të cilat, sipas tyre, kanë krijuar pasiguri ligjore dhe dëme konkrete për sektorin privat.

“Ky proces, që nga fillimi, është shoqëruar me mungesë transparence dhe gabime serioze procedurale, duke prodhuar vetëm pasiguri ligjore dhe dëme për sektorin privat.”

AKB thekson se bizneset kanë nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri, dhe paralajmëron se vendimet e nxituara që nuk marrin parasysh këto nevoja mund të rrezikojnë zhvillimin ekonomik të vendit.