​Akademiku slloven kritikon ashpër BE-në për heshtje ndaj Aleksandar Vuçiqit

Bashkimi Evropian hesht në mënyrë frikacake në lidhje me demonstratat masive të studentëve dhe qytetarëve në Serbi, të cilët janë kundër dhunës, thotë filozofi dhe akademiku slloven Slavoj Zhizhek. Në një analizë në portalin ndërkombëtar “Project Syndicate”, Zhizhek thekson se “serbët kërkojnë shtetin e së drejtës pa të gjitha rregullat e pashkruara që hapin derën…

Bota

22/02/2025 17:10

Bashkimi Evropian hesht në mënyrë frikacake në lidhje me demonstratat masive të studentëve dhe qytetarëve në Serbi, të cilët janë kundër dhunës, thotë filozofi dhe akademiku slloven Slavoj Zhizhek. Në një analizë në portalin ndërkombëtar “Project Syndicate”, Zhizhek thekson se “serbët kërkojnë shtetin e së drejtës pa të gjitha rregullat e pashkruara që hapin derën e korrupsionit dhe autoritarizmit”, raporton BETA.

Ai beson se demonstratat jo të dhunshme në Serbi janë unike pasi nuk kanë kërkesa politike.

“Protestuesit duan të prishin procesin që ka lejuar partinë në pushtet të mbajë peng shtetin përmes ndikimit dhe kontrollit mbi të gjitha institucionet,” thekson Zhizhek.

Studentët dhe qytetarët në Serbi refuzojnë dialogun me pushtetin dhe dhunën, nuk kanë liderë, thotë ky analist politik, duke treguar se ky mund të jetë një lloj i ri i aktivizmit politik.

Ai beson se “në një moment, sigurisht që do të duhet të hyjë në lojë politika e organizuar”. Por tani për tani, përfundon ai, ky qëndrim gjoja apolitik i studentëve dhe qytetarëve të pakënaqur “krijon kushtet për një politikë të re, jo një version tjetër të së njëjtës lojë të vjetër, për të arritur ligjin dhe rendin, duhet të pastrohen tavolinat”.

Zhizhek nënvizon se “kjo është arsye e mjaftueshme që pjesa tjetër e botës të mbështesë pa kushte protestat”.

Këto protesta dëshmojnë, thekson ai, se “një thirrje e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë për ligj dhe rend mund të ketë një efekt më të madh transformues sesa dhuna anarkike. Serbët duan shtetin e së drejtës pa të gjitha rregullat e pashkruara që hapin derën e korrupsionit dhe autoritarizmit”.

Akademiku slloven përfundon se “hipokriti më i madh në këtë histori është Bashkimi Evropian, i cili përmbahet nga presioni ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq nga frika se ai do të gravitojë drejt Rusisë”.

“Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu mbështetjen për popullin gjeorgjian që lufton për demokraci, ajo mbeti jashtëzakonisht e heshtur për kryengritjen në Serbi – një vend që ka qenë një kandidat zyrtar për anëtarësim në BE që nga viti 2012”.

Dhe, siç shton ai, “BE-ja po e lë Vuçiq të qetë, sepse ai premtoi stabilitet dhe eksport të litiumit, një burim kyç për automjetet elektrike”.

Zhizhek thekson se “mungesa e kritikave nga BE-ja, edhe në rastin e akuzave për mashtrime zgjedhore, e ka lënë shoqërinë civile serbe pa mbështetje”.

Ai shton se nuk ka flamuj të BE-së në demonstratat në Serbi dhe argumenton se “ideja e një revolucioni me ngjyra që u krye në Ukrainë 20 vjet më parë për t’u bashkuar me Perëndimin demokratik nuk ka më asnjë bazë – BE-ja ka arritur një fund tjetër politik”.