AIP prezanton raportin e punës për vitin 2025: Pranuam mbi 1 mijë ankesa, trajnuam mbi 807 pjesëmarrës nga sektori publik dhe privat

Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka prezantuar Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës, raportin e punës për vitin 2025. Përmes një komunikate për media, AIP ka thënë se kanë ushtruar fushë veprimtarinë e tyre në mënyrë objektive dhe profesionale, në trajtimin e ankesave të adresuara, ofrimin e këshillave dhe opinioneve…

Lajme

08/04/2026 09:33

Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka prezantuar Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës, raportin e punës për vitin 2025.

Përmes një komunikate për media, AIP ka thënë se kanë ushtruar fushë veprimtarinë e tyre në mënyrë objektive dhe profesionale, në trajtimin e ankesave të adresuara, ofrimin e këshillave dhe opinioneve për institucionet publike, private, qytetarëve  dhe grupe tjera të interesit. Përmes ekspertizës profesionale, Agjencia ka thënë se ka ofruar mbështetjeje për institucionet publike dhe private në hartimin e akteve nën-ligjore dhe rregullativës  së brendshme për mbrojtjen  e të dhënave personale  dhe politikat e privatësisë.

“Në përmbushjen e mandatit të saj ligjor për realizimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumentin publike, gjatë periudhës raportuese janar – dhjetor 2025, Agjencia ka pranuar gjithsejt  njëmijë e tetëdhjetë e pesë (1,085) ankesa të adresuara nga institucionet publike dhe private, Organizatat Jo Qeveritare, Mediat, Qytetarët  dhe nga grupe të tjera të interesit. Në realizimin e së drejtës për qasje në dokumente publike, Agjencia gjatë vitit 2025 ka pranuar gjithsejtë nëntëqind e njëzet e shtatë (927) ankesa, dhe tetë dhjetë (80) të bartura nga viti paraprak. Nga ky numër, 832 ankesa kanë përfunduar me vendime administrative ndërsa 175 ankesa  janë bartur për vitin 2026″, ka njoftuar AIP.

Në funksion të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit dhe garantimit të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve, gjatë periudhës raportuese, Agjencia ka realizuar gjithsej 367 inspektime. 226 inspektime janë realizuar sipas detyrës zyrtare, ndërsa 141 inspektime janë realizuar sipas ankesave të adresuara në Agjenci.

“Me  qëllim të harmonizimit të kuadrit ligjor me standardet evropiane, Agjencia ka vazhduar veprimet për finalizimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Institucionet e Zbatimit të Ligjit, në përputhje me Direktivën (BE) 2016/680 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit (e njohur si Law Enforcement Directive – LED). Agjencia ka ofruar  gjithsejtë pesëdhjetë e tetë (58) këshilla ligjore, ku njëzet e nëntë (29) këshilla janë lëshuar për institucionet nga sektori publik, shtatëmbëdhjetë (17) për institucionet nga sektori privat, dhe dymbëdhjetë (12) këshilla subjekteve të të dhënave”, ka njoftuar AIP.

“Në këtë kontekst, gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, janë realizuar mbi 80  aktivitete informuese dhe janë trajnuar mbi 807 pjesëmarrës nga sektori publik dhe privat, përfshirë zyrtarë publik, kontrollues dhe përfaqësues nga grupe tjera të interesit, sektori i shëndetësisë, sistemi bankar, qendrat sociale, organizatat joqeveritare, mediat dhe subjekte të tjera. Përmes ekspertizës  profesionale dhe me qëllim të mbështetjes së kontrolluesve dhe përpunuesve nga sektori publik dhe privat, në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe standardizimin e qasjes gjatë përpunimit të të dhënave personale, në përputhje me parimet e përgjegjshmërisë, proporcionalitetit dhe transparencës, gjatë kësaj periudhe, Agjencia ka finalizuar dhe publikuar katër (4) Udhëzues për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në komunikatë.

Agjencia ka thënë se ka ndërmarrë hapa dhe veprime konkrete në funksionalizimin e procesit të digjitalizimit, duke lansuar projektin e CMS – Sistemi i Menaxhimit të Rasteve, projekt i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj palëve të ndryshme të interesit të cilët i adresohen Agjencisë,  veçanërisht në ofrimin e shërbimeve më të mira, transparente dhe më efikase për qytetarët.

Në kuadër të informimit dhe ndërgjegjësimit, në periudhën raportuese, Agjencia ka përgatitur udhëzues për mbrojtjen e të dhënave personale

–           Udhëzues lidhur me privatësinë në internet

–           Udhëzues për përpunimin e ligjshëm të të dhënave

–           Udhëzues për vlerësimin e ndikimit mbi mbrojtjen e të dhënave

–           Udhëzues për sektorin shëndetësor

Në angazhimet për ta  forcuar rolin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare Agjencia ka realizuar mbi 20 aktivitete ndërkombëtare me pjesëmarrje aktive në Bordin evropian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ( EDPP) forume, konferenca, Grupe Punuese

Pjesëmarrje aktive të katër (4) takimet e Bordit të EDB-së

Pjesëmarrje në katër (4) Grupe Punuese me karakter ndërkombëtar

Organizatore e dy (2) konferencave ndërkombëtare me mbi nëntëdhjetë (90) përfaqësues të autoriteteve për mbrojtjen e të dhënave personale në nivel rajonal, ndërkombëtar dhe botëror.

Raporti i Kosovës për vitin 2024 i Komisionit Evropian në vlerësimin e punës për Agjencinë për Informim dhe Privatësi ka theksuar se

  • Agjencia për Informim dhe Privatësi ka punuar në mënyrë të pavarur dhe efikase.
  • Ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale janë në përputhje me GDPR dhe LED.
  • Agjencia ka miratuar aktet nënligjore dhe ka rritur kapacitetet e personelit.
  • Rritja e ndërgjegjësimit ka shënuar rritje të përgjegjësisë së institucioneve publike dhe private ndaj vendimeve të Agjencisë.