“Ai erdhi, shkroi dhe iku”: Varroset Kadare

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, u varros më 3 korrik në Varrezat e Tufinës në Tiranë. Ceremonia e varrimit u zhvillua në një rreth të ngushtë familjar, me kërkesë të familjes së tij. “Jemi shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri. Ai është ngritur në panteonin e gjenive të botës. Një nga mënyrat për t’i bërë…

Lajme

03/07/2024 15:11

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, u varros më 3 korrik në Varrezat e Tufinës në Tiranë.

Ceremonia e varrimit u zhvillua në një rreth të ngushtë familjar, me kërkesë të familjes së tij.

“Jemi shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri. Ai është ngritur në panteonin e gjenive të botës. Një nga mënyrat për t’i bërë homazhe, është t’i lexojmë përsëri veprat e tij”, tha vajza e shkrimtarit, Besiana Kadare.

Kadare vdiq më 1 korrik, në moshën 88-vjeçare, si pasojë e një arresti kardio-respirator.

Paraditen e së mërkurës, arkivoli me trupin e tij u vendos në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ku qytetarë të shumtë nga vende të ndryshme bënë homazhe.

I pranishëm ishte edhe një delegacion i Kosovës me në krye presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha në fjalën që mbajti gjatë ceremonisë shtetërore në nderim të Kadaresë, se shkrimtari “i përket gjithë botës”.

“Kadare jetoi si dëshmitar i një fjale për të cilën mori tërë lëvdatat dhe nderimet e mundshme të botës dhe tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Nuk e mori Çmimin Nobel, por mbeti i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime nga bashkatdhetarët e tij. Ai erdhi, shkroi dhe iku. Ne i kemi vetëm një detyrim: t’ia respektojmë ikjen”, tha Rama.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, shkroi në librin e kujtimeve për Kadarenë se “pikëllimi është i thellë, sepse admirimi është i lartë”.

“Historia (me gjithë mitet), politika (me gjithë intrigat), gjuha (me gjithë bukurinë) me romanet dhe poezitë e Ismail Kadaresë u bënë dije dhe vetëdije për popullin tonë. Lum ne që e patëm, kaq shumë. Vepra e tij do të rrojë gjatë, jo vetëm për ne”, shkroi Kurti, transmeton Zyra e tij.

Shqipëria ishte në zi kombëtare dje dhe sot, ndërsa Kosova sot.

Veprat e Kadaresë u përkthyen në më shumë se 45 gjuhë të botës.

Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, ai i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

Në vitin 1990 emigroi në Francë, pasi bëri deklarata në favor të demokratizimit.

Kadare ishte fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, ndërsa vitin e kaluar Franca i dha titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.

Udhëheqës në Shqipëri dhe në Kosovë thanë se me vdekjen e Kadaresë, “shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave”, ndërsa “bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë”.