Ahmeti: S’jam binjak me Albinin

Me Albinin nuk jemi binjakë. Ai mund të flasë ndryshe, e unë ndryshe, sepse kemi qasje tjera. Ne jemi fytyra të ndryshme, të një subjekti të vetëm, shprehet kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. 

Lajme

13/05/2014 10:35

Nuk heziton që mysafirëve t’ua tregojë dhuratat modeste që eventualisht merr gjatë takimeve me zyrtarë të ndryshëm.

Në zyrën e tij, flamurit të Kosovës i ngjitur në shtizë, me lehtësi i dallohet ngjyra e kaltër, por s’është aq e lehtë t’i shihen yjet dhe harta ngjyrë e verdhë.

Qëndrimi i tij për flamurin është “i prerë” dhe nuk dallon nga qëndrimet e liderit të “Vetëvendosjes” – Albin Kurtit. Por, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një intervistë për “Zërin” thotë se nuk do ta shkelë ligjin për ta larguar flamurin.

Kur del në qytet nuk i ikën takimit me njerëzit. Ata kanë halle që shpesh kryetarit ia “qajnë” edhe gjatë udhëtimit në autobus. Me liderin e partisë Albin Kurti, thotë se kanë qasje tjera, pasi që, siç thotë ai, nuk janë binjakë.

“Ne jemi fytyra të ndryshme, të një subjekti të vetë”, shprehet Ahmeti.

Veprimin e tij për mbylljen e shkollave e cilëson si shumë të arsyeshëm, karshi skandalit që thotë se bëri “HIB Petroli” me vajin për djegie që solli për ngrohjet e shkollave. Zyrtarët e Institutit  të Shëndetit Publik, sipas Ahmetit, janë përgjigjur si inxhinierë e jo si mjekë, kur komuna ka kërkuar sqarime për squfurin dhe sasinë e lejuar .

Duke folur në lidhje me xhipin e kryetarit të kaluar, Isa Mustafës, Ahmeti ka thënë se ai është në procedura të shitjes, gjersa thotë se është themeluar një komision për vlerësimin e xhipit.

“Është treguar se vlera është 45 mijë euro. Besoj se shumë shpejt do të kalojmë në atë fazën përfundimtare të shitjes së xhipit. Janë katër mënyra që mund ta bëjmë këtë, ne, sigurisht do të zgjedhim ankandin publik”.

“Mendoj se është makinë interesante që është vozitur shumë pak”.

“Mund të jetë atraktive për shumë njerëz. Është në gjendje shumë të mirë”.