Ahmeti: Askush nuk ka marrë leje për ndërtime te Liqeni i Badocit
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas protestave nëpër rrjete sociale në lidhje me ndërtimet në një pjesë të Liqenit të Badocit.

Lajme
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar për ndërtimet në pjesën e Liqenit të Badocit.
Lajmi.net kishte raportuar të premten e javës së kaluar lidhur me këtë çështje.
Lexo edhe:
https://lajmi.net/bizneset-rrezikojne-te-ardhmen-e-liqenit-te-badocit/?fbclid=IwAR3DBA4PCwgxMvv1eubVv1RrvD-6pL5sSiAApsdDGJGK2al1K3D9pp9we54
Ahmeti ka sqaruar se kompania që dëshiron të ndërtojë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për një të tillë.
“Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, ka shkruar mes tjerash Ahmeti, përcjell lajmi.net.
Sipas tij, në vitin 2015, Komuna e Prishtinës ka propozuar rritjen e territorit të Gërmisë nga 900 hektarë në 2000 hektarë dhe ka marr statusin e peizazhit të mbrojtur sipas ligjeve në fuqi.
Ai shtoi se Prishtina ka ujë të pijshëm 24 orë në ditë që nga viti 2017 dhe kjo në asnjë mënyrë nuk bën dhe nuk do të rrezikohet.
Postimi i plotë i Ahmetit pa ndërhyrje:
Uji i Pijshëm 24h në Prishtinë nuk bën të rrezikohet dhe nuk do të rrezikohet
Liqeni i Badovcit është pasuri shtetërore në pronësi të Shtetit të Republikës së Kosovës sikurse edhe çdo resurs tjetër ujor.
Vendimet për mbrojtjen e Liqenit/Ujit dhe masat tjera mbrojtëse i merr niveli qendror – sepse i kanë edhe përgjegjësitë edhe kapacitetet të bëjnë vlerësime të tilla. Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për leje ndërtimore sipas dokumenteve planifikuese që i ka në fuqi, dokumentet kryesore të të cilave janë aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në vitin 2013.
Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje.
Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë.
Në vitin 2015, Komuna e Prishtinës ka propozuar rritjen e teritorrit të Germisë nga 900 hektarë në 2000 hektarë dhe ka marr statusin e pejsazhit të mbrojtur sipas Ligjeve në fuqi.
Një pjesë e pejsazhit është rreth Badovcit. Në vitin 2016 në bashkëpunim me Qeverinë e Çekisë kemi arritur që të fillojmë trajtimin e ujrave të zeza përreth liqenit. Ujëra të tilla nuk derdhen më në liqenin e Badovcit.
Prishtina ka ujë të pijshëm 24 orë në ditë që nga viti 2017, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk bën dhe nuk do të rrezikohet. /Lajmi.net/