Ahmetaj: Kodi Civil i prezantuar në Kuvend, nuk garanton jetë familjare për personat e gjinisë së njëjtë

Emisioni Dokumentar “Pasojë” këtë javë sjell në spikamë problemet dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti LGBTI në Kosovë, duke shtjelluar aspektin përmbajtësor, psiko-social, institucional, lajmi.net nëpërmjet këtij dokumentari synon të hedh dritë mbi (mos)heshtjen e këtij grupi shoqëror, të margjinalizuar, por të padorëzuar.

Lajme

04/07/2022 22:45

Edona Ahmetaj, juriste dhe aktiviste është shprehur se Kosova ka qenë e gatshme që të bëjë ligjin për martesa të gjinisë së njëjtë që nga viti 2008 kur ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Kosova ka qenë e gatshme që nga 2008 me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në kushtetutë e drejta për martesë garantohet për të gjithë pa dallim të orientimit të tyre seksual. Ne kemi qenë të gatshëm që nga 2008 që po bie më shumë se 14 vite që kemi qenë të gatshëm për këtë mundësi. Te ishte mundësia tani ta rregullojmë këtë çështje dhe ende ekziston si mundësi që të garantohet si e drejtë për të gjithë personat si e drejtë pavarësisht orientimit te tyre seksual. Shteti ka për obligim që të gjitha të drejtat që në rastin tonë të garantuara me kushtetutë t’i bëjë të qasshme dhe ti bëjë të tilla që të gjithë qytetarët t’i gëzojnë ato pa dallim momentin që para vlerësojnë që dëshirojnë që ta gëzojnë një të drejtë, ta ushtrojnë një të drejtë”, tha Ahmetaj.

Ajo gjithashtu është shprehur se versioni aktual i Kodit Civil nuk është përkrahur nga organizatat që merren me të drejtat e komunitetit LGBTi.

Ahmetaj thotë se gjithçka që garanton më pak sesa që garanton Kushtetuta e Kosovës është e papranueshme, përfshirë këtu sipas saj edhe versionin e fundit të projekt kodit civil siç është prezantuar herën e fundit në Kuvendin e Kosovës.

“Asnjëri prej versioneve nuk ofron zgjidhje dhe garanci për personat apo për çiftet e gjinisë së njëjtë për të realizuar të drejtën e tyre për me pas një jetë familjare për fat të keq. Versioni aktual për kodin nuk është përkrah as nga organizatat të cilat merren me të drejtat e komunitetit LGBT. Pasi që e len këtë çështje të adresohet përmes një ligjit të veçantë, por edhe ai ligj nuk do të garantojë martese, do të garantojë diçka tjetër. E cila është prapë me pak se ajo çka kushtetuta e Kosovës e garanton. Kështu që asnjëri prej versioneve nuk është lajm i mirë, domethënë edhe status-quo nuk është zgjidhje sepse prapë jemi në shkelje të kushtetutës, por edhe me adoptimin apo kalimin në kuvend të projekt kodit civil në versionin i cili është prezantuar herën e fundit në kuvend nuk garantohet kjo e drejtë për çiftet e gjinisë së njëjtë”, tha ajo.

Në fund, Ahmetaj shprehet se martesat e gjinisë së njëjtë duhet të garantohen për personat e komunitetit LGBT-i në mënyrë që të evitohet diskriminimi.

“Ne aspektin e përgjithshëm mendoj qe dëmi më i madh që bëhet është dështimi për me garantu një të drejtë e cila është elementare e njeriut dhe mesazhi që dërgon shteti jonë në raport me të drejtat e njeriut, domethënë abstenon nga mundësia për me garantua me mbrojte edhe me mundësua realizimin e te drejtave te njeriut ne rastin konkret personat e komunitetit LGBT-i  apo çiftet e gjinisë se njëjtë po njëkohësisht mendoj është dhe dënimi tjetër i cili shkaktohet është moskujdesi për të garantua sundim të ligjit pasi që çdo vendimmarrje çdo ligj kalon në kuvend duhet të jetë në përputhje me kushtetutën edhe kjo nënkupton sundim te ligjit. Kështu qe me faktin që bëhet tentativë për të kalua një projekt kod që nuk është në përputhje me kushtetutën kjo është dëm në përgjithësi te sundimit të ligjit në Kosovë. Specifikisht për personat LGBTI që nënkupton për jetën e tyre individuale, kjo nënkupton diskriminim në bazë të orientimit seksual, dërgohet mesazhi se këta persona nuk janë pjesë e barabartë e kësaj shoqërie dhe nuk kanë vend në shoqërinë tonë, humbet mundësia për personat LGBTI që të hyjnë në marrëdhënie bashkëshortore apo bashkëjetese me personat të cilët i kanë të dashur apo bashkëshorte edhe t’i gëzojnë te drejtat që rrjedhin nga kjo lidhje martesore që pastaj janë të drejtat që mund të dalin nga alimentacioni, pasuria e përbashkët e shumë të drejta që lindin nga instituti i martesës në vendin tonë”, tha ajo. /Lajmi.net/