Agolli: Serbët të hanë kokoshka kur të na shohin

Në lidhje me aludimet e mediave serbe, se ndeshja mes Armenisë dhe Shqipërisë ka qenë e blerë nga kuqezinjtë, ka reaguar edhe një tjetër futbollist i përfaqë- sueses sonë.

Sport

15/10/2015 16:44

Bëhet fjalë për mbrojtësin Ansi Agolli, i cili nuk luajti në takimin ndaj Armenisë për shkak të ndëshkimit me kartonë të verdhë në sfidën me Serbinë në Tiranë. Agolli, në një prononcim për “Sportet.az”, ka deklaruar: “As unë dhe as niveli i agjencisë suaj nuk duhet të biem në nivelin e atyre që kanë thënë mediat serbe gjatë gjithë kësaj periudhe.

Qëllimi i tyre i vetëm është që të hedhin hije mbi suksesin tonë dhe kjo është një gjë shumë e shëmtuar nga ana e tyre që nuk ndalet, por vazhdon akoma”. Më pas, futbollisti ka bërë me dije se kjo nuk është hera e parë që mediat serbe botojnë lajme të pavërteta. “Të them të drejtën, nuk jam shumë i surprizuar nga një reagim i tillë i tyre, pasi kjo nuk është hera e parë që ata trillojnë. Ne e pamë edhe në ndeshjen që luajtëm në Serbi, ku ata thanë se faji i ndërprerjes së takimit ishte pikërisht i yni, shkruan “Panorama Sport”.

E vetmja gjë që mediat serbe mund të bëjnë tani është që të ulen para televizorit të marrin kokoshka dhe të na shohin”, ka vazhduar futbollisti i Karabakut. Në mbyllje të fjalës së tij, mbrojtësi kryeqytetas ka thënë se kjo është arritja më e madhe e futbollit shqiptar në vitet e fundit. “Sa i takon kualifikimit, nuk di çfarë të them, pasi është një ëndërr e realizuar.

Jam shumë i lumtur që isha pjesë e kësaj ëndrre që të gjithë e prisnin prej kohësh. Është një arritje me rëndësi për vendin tonë, për futbollin shqiptar që është duke rritur nivelin e tij. Duhet ta shfrytë- zojmë duke bërë një paraqitje sa më të mirë në Kampionatin Europian”, ka mbyllur futbollisti i Kombëtares shqiptare. Gjatë ndeshjeve me përfaqësuesen, Agolli ka bërë një paraqitje mjaft të mirë.