AGK: Letra e FFK-së, presion ndaj mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se kanë pranuar një letër nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës në të cilën ajo shpreh pakënaqësi për diskutimet që bëhen në emisionet sportive për këtë institucion dhe Kombëtaren e Kosovës. Një letër të tillë, AGK e ka konsideruar si “si të papranueshme dhe…

Lajme

16/09/2024 17:38

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se kanë pranuar një letër nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës në të cilën ajo shpreh pakënaqësi për diskutimet që bëhen në emisionet sportive për këtë institucion dhe Kombëtaren e Kosovës.

Një letër të tillë, AGK e ka konsideruar si “si të papranueshme dhe presion të hapur ndaj gazetarëve dhe medieve në Kosovë”.

“Kërkesa e FFK-së ndaj AGK-së, formë e presionit ndaj medieve dhe gazetarëve Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar një kërkesë nga Federata e Futbollit të Kosovës, në të cilën ajo shpreh pakënaqësi për diskutimet që bëhen në emisionet sportive për këtë institucion dhe Kombëtaren e Kosovës. Në letër, FFK-ja, akuzon, pa asnjë bazë, disa emisione sportive se po bëjnë “fushatë mediale kundër FFK-së”. AGK-ja, e konsideron këtë letër të hapur të FFK-së, si të papranueshme dhe presion të hapur ndaj gazetarëve dhe medieve në Kosovë. Liria e shprehjes dhe liria e medies janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, dhe është detyrë e gazetarëve dhe medieve, që ta mbajnë FFK-në përgjegjëse për vendimet dhe veprimet e saj”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ndryshe, kritikat ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës vërshuan pas vendimit të kësaj të fundit për të përjashtuar nga grumbullimi me Kosovën tre futbollistët Edon Zhegrova, Florent Muslija dhe Aro Muric.

Në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, Kosova pësoi nga Rumania dhe triumfoi ndaj Qipros.