AGK dënon përjashtimin e gjashtë gazetarëve nga ekrani i RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër pas vendimit të Menaxhmentit të RTK-së për përjashtimin nga ekrani të gjashtë gazetarëve të këtij mediumi publik. Gazetarët Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Arton Mulliqi, Edona Musa-Mustafa, Jehona Zhitia dhe Valon Bajrami kanë bërë të ditur se të premten e kaluar janë njoftuar, pa paralajmërim,…

Lajme

25/08/2025 22:16

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër pas vendimit të Menaxhmentit të RTK-së për përjashtimin nga ekrani të gjashtë gazetarëve të këtij mediumi publik.

Gazetarët Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Arton Mulliqi, Edona Musa-Mustafa, Jehona Zhitia dhe Valon Bajrami kanë bërë të ditur se të premten e kaluar janë njoftuar, pa paralajmërim, se nuk do të moderojnë më magazinat informative të orës 17:00 dhe 23:00.

AGK-ja e cilëson këtë veprim si arbitrar dhe ndëshkim ndaj gazetarëve për punën e tyre profesionale e të pavarur, duke e konsideruar një formë të cenzurës në Transmetuesin Publik.

“Ky vendim paraqet një nivel të paprecedent të cenzurës në RTK dhe dëshmon për shqetësimin tonë të kahmotshëm se Menaxhmenti aktual është vënë në shërbim të plotë të Qeverisë Kurti dhe partisë në pushtet, Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni ka kërkuar nga Menaxhmenti i RTK-së që të rishikojë dhe të tërheqë vendimin, duke theksuar se gazetarëve duhet t’u mundësohet të punojnë në interes të publikut, pa ndikim politik.

AGK-ja ka bërë të ditur se do të mbështesë gjashtë gazetarët në të gjitha hapat që ata do të ndërmarrin për të sfiduar këtë vendim.