Agjencia italiane ANSA raporton se Shqipëria ka lëshuar urdhërarrest për Vlora Hysenin
Është lëshuar një urdhër arresti ndaj drejtoreshës së Shërbimeve Sekrete shqiptare, Vlora Hyseni, me origjinë nga Kosova. Kështu raporton Agjencia italiane ANSA, ku shtohet se, masa e sigurisë është lëshuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të një hetimi ndaj biznesmenit Ergys Agasi, i përfshirë në një rast…
Lajme
Është lëshuar një urdhër arresti ndaj drejtoreshës së Shërbimeve Sekrete shqiptare, Vlora Hyseni, me origjinë nga Kosova.
Kështu raporton Agjencia italiane ANSA, ku shtohet se, masa e sigurisë është lëshuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të një hetimi ndaj biznesmenit Ergys Agasi, i përfshirë në një rast korrupsioni lidhur me tenderët e Agjencisë Shtetërore për Sistemet Informatike.
Agasi, i cili kishte qenë në arrati për disa muaj, u arrestua gushtin e kaluar.
Urdhri i arrestit ndaj Hysenit nuk është ekzekutuar, pasi ajo rezulton të jetë jashtë vendit. Sipas mediave, ajo dyshohet për “zbulim të sekreteve shtetërore”.
Hetimi ka përfshirë edhe ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, banesa e të cilit është kontrolluar dhe nga i cili është sekuestruar edhe telefoni. Ndaj tij nuk është vendosur asnjë masë sigurie.
Në pranga ka përfunduar ndërkohë drejtuesi i laboratorit të policisë shkencore dhe një kriminalist.
Për këtë çështje ende nuk ka një komunikatë zyrtare nga Prokuroria e Posaçme, e cila ka zhvilluar hetimet.