Agjencia e ryshfetit!

Ferdije Zhushi, kryesuese e bordit të Agjencisë për Akreditim në Kosovë dhe Basri Muja, drejtor, po akuzohen për shantazh dhe mitmarrje nga drejtues të universiteteve dhe kolegjeve private.

Lajme

10/07/2014 09:30

Drejtuesit e Agjencisë për Akreditim po akuzohen se po u kërkojnë dhjetëra mijëra euro ryshfet drejtuesve të universiteteve dhe kolegjeve private në këmbim të akreditimit.

Burime të gazetës “Tribuna”, bëjnë të ditur se edhe këtë vit procesi i akreditimit është përcjellë me shumë parregullsi dhe akuza për korrupsion.

Gazeta mëson se “njëri nga institucionet e arsimit të lartë do të bëjë publike akuza për dëmtim të qëllimshëm dhe shantazhet e Basri Mujës dhe Ferdije Zhushit për 5 vitet e kaluara dhe pretendimet për korrupsion”.

Ferdije Zhushi është kryetare e bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, ndërsa Basri Muja është drejtor i Agjencisë.

E pjesë e këtij rrjeti kriminal, siç e quan burimi i gazetës, janë bërë edhe ekspertët ndërkombëtarë të kontraktuar nga Agjencia për Akreditim.

“Ekspertët ndërkombëtarë, shumica e të cilëve pensionistë, marrin mijëra euro për të punuar sipas diktatit që vjen nga dy drejtuesit e Agjencisë”, ka treguar ai.