Agjencia e Kosovës për Akreditim i reagon Odës së Fizioterapeutëve

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) kanë reaguar lidhur me deklaratat e sotme të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës. Në njoftim thuhet se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) si organ vendimmarrës i saj, njofton opinionin se ka shqyrtuar kërkesën e Odës së…

Lajme

02/09/2025 17:50

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) kanë reaguar lidhur me deklaratat e sotme të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës.

Në njoftim thuhet se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) si organ vendimmarrës i saj, njofton opinionin se ka shqyrtuar kërkesën e Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës (OFK) për pezullimin e vendimit të KShC-së, lidhur me akreditimin e programit të Fizioterapisë dhe Rehabilitimit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

“Pas shqyrtimit të kërkesës, KSHC ka konstatuar se kërkesa nuk ka bazë ligjore, pasi OFK nuk është palë në procedurën administrative të akreditimit. Vendimi i KShC është marrë pas zhvillimit të plotë të procedurave ligjore dhe në përputhje me ligjet përkatëse për arsimin e lartë, administratën publike dhe akreditimin”, thuhet në njoftim.

Më tej në reagim thuhet se AKA konfirmon se programi në fjalë është vlerësuar nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë sipas standardeve të akreditimit dhe nuk ka pasur aplikim retroaktiv të ndonjë norme, pasi aktet nënligjore dhe standardet e reja kanë qenë në fuqi dhe janë komunikuar me kohë të gjitha institucioneve të arsimit të lartë.

“Pretendimi për aplikim të parakohshëm të standardeve nuk qëndron, pasi standardet e përditësuara janë miratuar dhe publikuar në fillim të vitit 2024 dhe institucionet janë përfshirë në procesin e hartimit të tyre. Këto fakte jemi të gatshëm t’i ballafaqojmë në gjykatë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në reagim thuhet se misioni i Odës së Fizioterapisë është që të jetë në shërbim të të gjithë komunitetit të fizioterapeutëve dhe të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme.

“Duke marrë parasysh faktin se drejtuesit e Odës dhe personat e afërt të tyre punojnë në kolegje private, ata nuk paraqesin palë neutrale në këtë rast. AKA është institucion kredibil, me kredenciale ndërkombëtare, e regjistruar në EQAR si anëtare me të drejta të plota, prandaj garanton të gjithë studentët se të gjitha programet e studimit të akredituara në Kosovë janë të nivelit ndërkombëtar”, thuhet në fund të reagimit.

Sot, gjatë ditës, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK), në një konferencë për media ka bërë të ditur se ka dorëzuar padi kundër Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA), lidhur me vendimin për akreditimin e programit për Fizioterapi dhe Rehabilitim në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Mjekësisë.

Në konferencë u tha se OFTK-ja e konsideron vendimin e AKA-së si të kundërligjshëm, duke theksuar se bie ndesh me raportin e ekspertëve të vetë agjencisë se akreditimit dhe se ky veprim mund të sjellë pasoja të pariparueshme për studentët e këtij programi pasi që mund të mos iu njihet diploma e tyre pas përfundimit të universitetit.