Agim Veliu: Humbja e zgjedhjeve të 28 dhjetorit është mesazh i qartë, LDK-së i duhet reflektim dhe dorëheqje

Ish-nënkryetari dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit për LDK-në përbën një humbje që “nuk mund të relativizohet, as të kalojë në heshtje” dhe ka kërkuar dorëheqje. Veliu ka theksuar se sinjali nga qytetarët është “i qartë” dhe kërkon reflektim të thellë dhe…

Lajme

11/01/2026 12:18

Ish-nënkryetari dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit për LDK-në përbën një humbje që “nuk mund të relativizohet, as të kalojë në heshtje” dhe ka kërkuar dorëheqje.

Veliu ka theksuar se sinjali nga qytetarët është “i qartë” dhe kërkon reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike.

“Rezultati i zgjedhjeve është një mesazh që nuk mund të anashkalohet. Humbjet e rënda nuk mund të relativizohen, as të kalohen me heshtje. Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike”, ka shkruar ai.

Ai ka bërë thirrje për një analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes, hapje të brendshme dhe demokraci funksionale, si dhe një proces të ri zgjedhor që i japë shpresë anëtarësisë dhe elektoratit.

“Vetëm duke hapur rrugë për ndryshim mund të rikthejmë besimin e humbur dhe të përgatitemi për sfidat e ardhshme. Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje të status quo-së. LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidatë të përhershëm”, ka shkruar Veliu, duke uruar gjithashtu sukses partisë. /Lajmi.net/