Agim Ademi: Vota e sotme është besim për ekipin tonë dhe për futbollin e Kosovës

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka falënderuar delegatët e Kuvendit të FFK-së për besimin e dhënë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit në vend. Në një postim në Facebook, Ademi ka theksuar se vota e sotme është një besim për të dhe ekipin e tij, por mbi të…

Sport

05/02/2026 14:34

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka falënderuar delegatët e Kuvendit të FFK-së për besimin e dhënë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit në vend.

Në një postim në Facebook, Ademi ka theksuar se vota e sotme është një besim për të dhe ekipin e tij, por mbi të gjitha një vlerësim për punën e përbashkët dhe përkrahjen ndaj rrugëtimit të ardhshëm të futbollit kosovar.

“Pozita e presidentit të FFK-së pa dyshim është përgjegjësi e madhe, të cilën do ta vazhdoj të ushtroj me përkushtim maksimal, gjithmonë në shërbim të futbollit dhe të komunitetit sportiv,” ka shkruar Ademi.

Ai ka theksuar se arritjet deri më tani nuk janë individuale, por rezultat i punës së përbashkët me stafin, administratën e FFK-së dhe gjithë komunitetin e futbollit, të cilët i ka falënderuar për profesionalizmin dhe angazhimin e vazhdueshëm.

Sipas Ademit, FFK-ja, si organizatë joqeveritare që përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare, ka detyrimin të jetë transparente, përgjegjëse dhe e përkushtuar. Ai gjithashtu ka vlerësuar unitetin e delegatëve të Kuvendit, duke theksuar se vendimet e merren bashkërisht për të mirën e futbollit kosovar.

“Le ta vazhdojmë këtë rrugë me vizion, stabilitet dhe ambicie për suksese të reja. Uroj ta shohim futbollin e Kosovës gjithnjë e më lart! Ju faleminderit, e na priftë e mbara!”, ka përfunduar postimin e tij Ademi. /Lajmi.net/