Afrimi i LDK’së me PDK’në, sipas analistëve
Analisti Belul Beqaj thotë se Mustafa dhe Haradinaj më mirë do të bënin sikur sot të flisnin për programet e tyre politike sesa të flisnin për pushtet. Petrit Zogaj thotë se LDK ka më shumë gjasa të bëjë koalicion me PDK’në sesa me partitë e tjera opozitare.

Lajme
Sot, lideri i LDK’së Isa Mustafa është takuar me liderin e AAK’së, Ramush Haradinaj. Ata kanë folur për zgjedhjet e ardhshme nacionale të cilat priten të ndodhin në gjysmën e parë të këtij viti.
Por analisti politik Belul Beqaj, thotë se nuk është ithtar i këtij “takimi propagandë”. Duke folur në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, Beqaj ka thënë se problemi i këtij takimi qëndron në faktin se fokusi ka qenë zgjedhjet nacionale dhe jo programet e tyre politike.
“Parimisht mendoj se çdo takim është i mirëseardhur dhe është i nevojshëm në politikë”.
“Problemi i këtij takimi, sipas mendimit tim, qëndron në faktin se përqendrohet në procesin zgjedhor. Pra nuk janë takuar dy lider se si t’i bëjnë specifikat programore të partive karshi njëra-tjetrës, dhe çështja e cila është problemore qëndron në faktin se këta kanë biseduar për pushtet, për zgjedhje. Pra, nuk është biseduar se si bashkërisht ose individualisht të krijojnë kushte për gjeneratat e reja, sesi të jetojnë më mirë.”
“Këta liderë sikur ta kishin përgjegjësinë, sikur të ishin në nivelin e duhur të përgjegjësisë së tyre partiake, sot më tepër do të bisedonin për programet e veta operative sesi jetën e rinisë dhe perspektivën e saj për jetë më të mirë, dhe jo sesi të vijnë në pushtet apo të mbesin në pushtet”.
Ndërkaq, Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, mendon se ky takim nuk ka pasur për qëllim një mobilizim opozitar por më shumë ka qenë një “kalkulim” i liderit Mustafa.
“Ky takim nuk po tregon një mobilizim opozitar, por po tregon një kalkulim të LDK’së dhe Isa Mustafës, për krijimin e një atmosfere parazgjedhore. Paradoksalisht, fillimisht kemi takimin me Kryeministrin, pastaj me partitë në opozitë”.
Sipas Beqajt, koalicioni i mundshëm PDK-LDK nuk është “i panatyrshëm”. Ai thotë se më me rëndësi është se si do të qeveriset Kosova në të ardhmen, sesa kush do qeverisë.
“Mendoj se koalicionet e tilla janë plotësisht të natyrshme. Problemi qëndron në përmbajtjen e koalicionit”.
“Kush do të qeverisë, për mua është relevante. Për ne, për Kosovën, për qytetarët e saj, më e rëndësishme në këtë moment është sesi do të qeveriset. Pikërisht këtu duhet të jetë fokusi dhe kjo është arsyeja pse unë e kundërshtoj në propagandë kaq të madhe të një takimi”.
“E kemi pasur këtë mënyrë të keqqeverisjes sepse pikërisht mënyra e opozitës ka qenë facilante e kësaj mënyre të qeverisjes”.
Ndërkaq, Petrit Zogaj thotë se LDK ka më shumë gjasa të hyjë në koalicion me PDK se sa me partitë e tjera opozitare.
“Kam përshtypjen se Isa Mustafa ka treguar mjaft hapur se si partner më stabil të koalicionit eventual e sheh partinë në pushtet, e pak më pak partitë e tjera opozitare”.
“Kjo klimë, ky krijim i kësaj atmosfere tregon se nuk do të kemi ndonjë qeverisje e cila dallon shumë nga qeverisja aktuale”.
“Më shumë ka pasur opozitarizëm brenda opozitës sesa opozitarizëm ndaj pozitës”, ka thënë Petrit Zogaj në emisionin InfoMagazine të Klan Kosovës.