Afera CEZ-DIA që dyshohet se përfshiu edhe Ilir Metën, dy çështje për të cilat dyshohet se u arrestua ai sot

Është arrestuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Kreu i Partisë për Liri është arrestuar me urdhër të SPAK, pranë qendrës tregtare, “Casa Italias”. Ndërkohë, Ilir Meta kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp mesditën e sotme, në orën 13:40, ku ishin ftuar të merrnin pjesë gazetarët. “Në ora 13:40, Presidenti i Partisë së Lirisë,…

Lajme

21/10/2024 13:31

Është arrestuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Kreu i Partisë për Liri është arrestuar me urdhër të SPAK, pranë qendrës tregtare, “Casa Italias”.

Ndërkohë, Ilir Meta kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp mesditën e sotme, në orën 13:40, ku ishin ftuar të merrnin pjesë gazetarët.

“Në ora 13:40, Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta do të ketë një konferencë për shtyp. Ftohen të gjithë gazetarët të marrin pjesë”, thuhej në njoftimin e zyrës së shtypit të bërë në orën 12:09.

Sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, kreu i PL-së është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje për çështjen CEZ-DIA.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi gjithashtu janë në hetim pasuror, si edhe në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA.

lir Meta ka shërbyer si President i Shqipërisë nga 24 korriku 2017 deri më 24 korrik 202. Më parë ai shërbeu si Kryeministër nga 1999 në 2002. Ai ishte Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë nga 2013 në 2017. Meta gjithashtu mbajti poste si Zëvendës Kryeministër, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë.

Para kësaj, ai mbajti Kryesinë e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian. Meta themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) në 2004 sot Partia e Lirisë e cila drejtohet prej tij.

Por çfarë është afera CEZ-DIA?

Kjo aferë fillon në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve te CEZ-DIA, marrëveshje që do t’i kushtonte buxhetit të shtetit shqiptar 414 milionë euro dëm pas prishjes së njëanshme kur Partia Socialiste mori pushtetin.

Kompania DIA e themeluar nga biznesmeni Kastriot Ismailaj do të bënte mbledhjen e borxheve për faturat e papaguara nga abonentët, por mbledhja e këtyre borxheve nuk ndodhi asnjëherë. Padia u bë para 6 vitesh nga juristi Romeo Kara.

Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se ka qenë Ilir Meta ai që ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Ndërkohë, Dritan Prifti ka rrëfyer se Meta kishte udhëtuar edhe në Çeki për të negociuar kontratën e Ismailajt.

Për këtë aferë u dënua me 11 vite burg biznesmeni Kastriot Ismailaj, për akuzën  “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe mashtrim me pasoja të rënda”. Gjatë kohës kur ishte nën hetim nga prokuroria, biznesmeni u akuzua së në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj, gati 6.5 milionë dollarë.

Kastrioit Ismailaj u lirua nga burgu në 7 Shtator të këtij viti, pasi kishte kryer dënimin e dhënë nga Gjykata.