Afër 922 mijë euro në vit vetëm për pagat e zëvendësministrave!

Para disa ditësh është emëruar zëvendësministri i 64-të në qeverinë Haradinaj.

Lajme

26/11/2017 09:18

I fundit ishte Idriz Selimaj i cili ishte emëruar si zëvendës i Pal Lekajt në Ministrinë e Infrastrukturës.

Edhe pse ky numër mund të rritet ende, emërimet e tilla janë kritikuar mjaft shumë nga opozita dhe shoqëria civile në Kosovë.

Nga një kalkulim i thjeshtë del se buxhetit të Kosovës, pagesat për 64 zëvendësministra i kushtojnë 921 mijë e 600 euro në vit, shkruan lajmi.net

Në këtë shumë madje nuk hynë edhe stafi administrativ i zëvendësministrave, dhe privilegjet e tjera që gëzojnë.

1 mijë e 200 euro është paga bazë e një zëvendësministri.

Kjo vëretohet duke u bazuar në deklarimet e pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion që janë bërë për vitin 2017, nga zëvendësministrat e qeverisë së kaluar.

Si ilustrim mund të përdoret deklarimi i pasurisë nga Agim Krasniqi që ishte zëvendësministër i Financave. Ai në deklarimin e pasurisë ka shkruar se merr pagë mujore 1 mijë e 200 euro.

Ministria që aktualisht ka numrin më të madh të zëvendësministrave është ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku numërohen gjashtë të tillë.

Kurse në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, të Arsimit, dhe Ministrinë e Diasporës, janë nga pesë zëvendësministra.

Ndryshe, emërime të tilla mund të ketë edhe gjatë ditëve në vazhdim. /Lajmi.net/