Afati për president po afrohet, Mustafa: Votojmë një kandidat unifikues, jo zgjatim të partisë në pushtet

Deputeti i Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për institucione serioze dhe të përgjegjshme, duke thënë se edhe zgjedhja e presidentit duhet të bazohet në këto parime. Mustafa ka thënë se PDK-ja kërkon një president unifikues, që ruan balancën mes pushteteve dhe nuk është zgjatim i partisë në…

Lajme

24/02/2026 17:35

Deputeti i Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për institucione serioze dhe të përgjegjshme, duke thënë se edhe zgjedhja e presidentit duhet të bazohet në këto parime.

Mustafa ka thënë se PDK-ja kërkon një president unifikues, që ruan balancën mes pushteteve dhe nuk është zgjatim i partisë në pushtet.

Mustafa ka theksuar se edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, e ka bërë të qartë qëndrimin e partisë se nuk do të votojë për një kandidat që vjen nga partia në pushtet apo që, sipas tij, do të ishte “zgjatim i saj”.

“Ajo çka kërkojmë ne është që shteti të ketë institucione serioze, të përgjegjshme që e çojnë përpara Kosovën. Kjo është çka kërkojmë ne. Dhe kjo është çka kërkojmë edhe për presidentin. Ne kërkojmë që shteti të ketë president, por në asnjë mënyrë nuk kërkojmë që shteti të ketë një president që nuk i plotëson kushtet që duhet t’i plotësoj një president unifikues, që çon përpara rolin e presidentit dhe ruan balancin mes pushteteve në Kosovë… edhe kreu u PDK-së Zoti Hamza e ka potencuar qartë që PDK-ja nuk ka votë për ndonjë kandidat për president që është përfaqësues apo që vjen nga partia në pushtet apo që është zgjatim i partisë në pushtet. Kosova nuk ka nevojë për një president që luan rolin e një të deleguari të kryeministrit aktual”, ka thënë Mustafa.

Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për votimin e presidentit të ri është 4 marsi, duke e vendosur procesin në një kornizë të ngushtë kohore.

Sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para kërkohen së paku 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës. Çdo kandidaturë duhet të mbështetet nga të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Nëse në dy raundet e para asnjë kandidat nuk arrin 80 vota, në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota.

Nëse deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi do të duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh. /dukagjini