Administrohen provat materiale në gjykimin për krime lufte ndaj Ekrem Bajroviq, i akuzuari mbrohet në heshtje

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është bërë administrimi i provave materiale të propozuara nga ana e Prokurorisë, në rastin ku Ekrem Bajroviq po akuzohet për krime lufte. Bajroviq tha se në këtë fazë të procedurës dëshiron të mbrohet në heshtje. “Nuk kam se çka të shtoj më tepër, përveç deklaratës…

Lajme

03/07/2024 16:02

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është bërë administrimi i provave materiale të propozuara nga ana e Prokurorisë, në rastin ku Ekrem Bajroviq po akuzohet për krime lufte. Bajroviq tha se në këtë fazë të procedurës dëshiron të mbrohet në heshtje.

“Nuk kam se çka të shtoj më tepër, përveç deklaratës që kam dhënë në Prokurori. Dua të mbrohem në heshtje, në këtë fazë të procedurës”, tha i akuzuari Bajroviq.

Në këtë rast, Prokuroria e ngarkon Ekrem Bajroviqin për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999, kundër popullsisë civile në Komunën e Istogut dhe fshatrave përreth, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori special Ilir Morina, kërkoi që të administrohen si prova materiale: dosja teknike, raporti i vendit të ngjarjes, foto-albumi, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, të gjitha të datës 27 tetor 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 15 shtator 2023, Ekrem Bajroviq po akuzohet gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.

Bajroviq akuzohet se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.