Ademi: Në vitin 2026 Kombëtarja e Kosovës do të luajë ndeshje në stadiumin e Gjakovës
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës,, Agim Ademi në shoqëri të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti e Agim Nura, kanë vizituar qytetin e Gjakovës dhe u prit nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini. Qëllimi i kësaj vizite ishte inspektimi i punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri në Gjakovë, një projekt…
Sport
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës,, Agim Ademi në shoqëri të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti e Agim Nura, kanë vizituar qytetin e Gjakovës dhe u prit nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini. Qëllimi i kësaj vizite ishte inspektimi i punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri në Gjakovë, një projekt që pritet të sjellë përfitime të mëdha për futbollin kosovar.
Me këtë rast Ademi theksoi se stadiumi në Gjakovë është një projekt modern dhe po ndërtohet sipas standardeve më të larta të ndërtimit dhe si rrjedhojë do të jetë një stadium i kategorisë së katërt të UEFA-s.
“Ky stadium, me kapacitet prej 14,500 ulësesh, do të plotësojë të gjitha kriteret për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të Kombëtares A. Në vitin 2026, stadiumi do të mirëpresë ndeshjen e parë të Kombëtares, pavarësisht nëse ajo do të jetë miqësore apo zyrtare”, ka theksuar i pari i FFK-së.
Ai e përgëzoi kryetarin Ardian Gjini për përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme në realizimin e këtij projekti madhor. Ai theksoi se projekti filloi me fonde lokale dhe tani po vazhdon me mbështetjen e ministrisë, duke nënvizuar përkushtimin e kryetarit Gjini që nga fillimi e deri më tani për realizimin e këtij projekti.
Gjatë kësaj vizite, Ademi e Gjini u dakorduan për nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi për ndërtimin e një fushe ndihmëse, sipas modelit që tash e disa vite FFK ka me komunat, ku Komuna e Gjakovës do të kryejë procedurat bazë, ndërsa FFK do të ndërtojë fushën.
Po ashtu, u dakorduan që FFK dhe komuna të ndërhyjnë edhe në riparimin e fushës stërvitore në Shkugëz, e cila është ndërtuar vite më parë nga federata por ka pësuar degradim si pasojë e moskujdesjes së duhur.
Bashkërisht me komunën, do të riparohet dhe organizohet kjo fushë në mënyrën më të mirë që të jetë në gjendje optimale për klubet. Ndërkaq, fusha e re do të jetë nën menaxhimin e LRF Gjakovës dhe do të shërbejë për të gjitha shkollat e futbollit që nuk zotërojnë fushat e tyre.