Ademi flet ekskluzivisht për lajmi.net mbi vendimin e Zeqirit dhe lojtarët e rinj që do të luajnë për Kosovën

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka komentuar grumbullimin e Andi Zeqirit me Zvicrën dhe ardhjet e reja te Kosova në ndeshjet miqësore.

Sport

19/05/2021 18:28

Agim Ademi është kontaktuar nga lajmi.net mbi vendimin e Andi Zeqirit të luajë për Zvicrën dhe lojtarët e rinj që do të vijnë të luajnë për Kosovën.

“Po presim deklarimin e Andi Zeqirit mbi këtë ngjarje, edhe babai i tij është deklaruar se do të jetë pjesë e Kosovës. Unë tani po e shoh se ai është pjesë e Zvicrës dhe thjeshtë nuk mu duk mirë aspak kjo punë”, tha ai për lajmi.net.

Tutje Presidenti tregoi se lojtari e ka pranuar me vetë-dëshirë të luajë për Kosovën. “Ai ka pranuar të luajë vetë për Kosovën dhe tani po e shoh që është pjesë e listës së Zvicrës. E shoh pak si jo gjest të mirë, të cilin nuk do t’ia dëshiroja askujt. Ku të fle zemra, duhet të luash, në qoftë se e ndjenë vetën si diçka tjetër, atëherë duhet të shkoni”.

“Ai ka deklaruar vetë se do të jetë pjesë e Kosovës, por ata të cilët nuk e dojnë Kosovën, nuk do t’i duhen as kombëtares”, është shprehur për lajmi.net. Ademi për vendimin e Zeqirit

Sa i përket ardhjeve të reja në kombëtaren e Kosovës për ndeshjet miqësore, Ademi ka thënë për lajmi.net: “Sigurisht do të ketë lojtar të ri. Është çështje e trajnerit nëse zgjedh lojtarë nga Superliga, aq më mirë nga liga e Kosovës”.

Për fund ai ka thënë se do të provojnë të nxjerrin më të mirën për Kosovën. “Kudo që ka lojtarë shqiptarë ne do t’ia bëjmë ftesën dhe do t’i ftojmë të luajmë për ne. Është çështje e trajnerit se kë fton. Ne do mundohemi të sjellim më të mirën për Kosovën”, ka thënë në fund presidenti Agim Ademi.

Kosova do të luajë katër ndeshje miqësore në muajin e ardhshëm, ku fillimisht luan kundër San Marino më 1 qershor, me Maltaa vetëm 3 ditë më pas dhe kundër Guineas (8 qershor), derisa ndeshja e fundit miqësore do të jetë ndaj Gambiasë më 11 qershor./Lajmi.net/