Adem Qorrolli: Qeveria i pa komunat si opozitë të saj, prandaj nuk i përkrahu
Eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli, ka kritikuar ashpër qeverinë në dorëheqje për shkak të sjelljes së saj karshi komunave. Sipas tij, në vend se qeveria ta ftonte Asociacionin e Komunave për bashkëpunim, ata e luftuan atë, duke e parë jo si organ të domosdoshëm të bashkëpunimit, por si opozitë të saj. Kjo sjellje e qeverisë,…

Lajme
Eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli, ka kritikuar ashpër qeverinë në dorëheqje për shkak të sjelljes së saj karshi komunave.
Sipas tij, në vend se qeveria ta ftonte Asociacionin e Komunave për bashkëpunim, ata e luftuan atë, duke e parë jo si organ të domosdoshëm të bashkëpunimit, por si opozitë të saj.
Kjo sjellje e qeverisë, sipas Qorrollit, ka bërë që ajo hapur të përkrahë komunat ku ka qeverisur Lëvizja Vetëvendosje.
“Mjetet e ndara për investime kapitale në tërësi kanë qenë shumë të ulëta krahasuar me buxhetin prej më shumë se 3 miliardë euro, derisa për një vit kemi pasur rreth 240 milionë euro në nivelin komunal. Pra, këto mjete nuk kanë mjaftuar që komunat të kenë një zhvillim më të mirë ekonomik. Për mua si ekonomist, zhvillim ekonomik lokal mund të ketë vetëm atëherë kur mbi gjysma e buxhetit për investime kapitale shkon te komunat – vetëm atëherë e shoh se shteti dhe komunat kanë një të ardhme të mirë”, ka shtuar Qorrolli në T7.
Ndryshe, qeveria e vendit, sipas Qorrollit, për katër vjet ka pasur luftë të hapur me komuna për investime kapitale, në mënyrë që te qytetarët këto komuna të duken si të dështuara për investime kapitale.
“Qeveria, duke i luftuar komunat për investime kapitale, ato që nuk qeveriseshin nga LVV, arriti një sukses për partinë, sepse kryetarët i paraqiti si të dështuar dhe rriti votën për LVV-në. Kjo u pa në Ferizaj më së miri, kur aty u bllokuan shumë investime kapitale nga qeveria qendrore, sikur ishte ndërtimi i spitalit, ndërsa më i votuari aty doli Hekuran Murati”, ka thënë Qorrolli.
Qorrolli thotë se këto zgjedhje kanë treguar se vota më shumë po marrin ata që ankohen e nuk bëjnë asgjë.