Absorbimi i Pamjaftueshëm
Albin Kurti s'është i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve. Ka shpresuar për mbështetje më të madhe, por thotë se ndoshta qytetarët s’e kanë absorbuar mjaftueshëm alternativën qeverisëse të Vetëvendosjes. Tash, ai po e pret një fitore. Atë të Shpend Ahmetit.

Lajme
Lëvizja Vetëvendosje, e prirë nga lideri i dikurshëm studentor Albin Kurti, kishte hyrë në provimin e saj të parë për nivelin lokal, me pritje të mëdha, duke synuar marrjen e pikëve maksimale.
Por, nota që mori kjo Lëvizje, më 3 nëntor, nuk ishte e përafërt me atë që po priste Albin Kurti, i cili bashkë me drejtuesit tjerë të Vetëvendosjes, gjatë një muaji fushatë kishte prezantuar 29 Alternativa të Qeverisjes Lokale.
Albin Kurti deklaron në intervistë për lajmi.net se s’është ndarë i kënaqur me këtë rezultat.
“Ne nuk jemi të kënaqur me rezultatin që e ka arritur Lëvizja jonë në zgjedhjet e vitit 2013, për shkak se kemi pritur shumë më tepër. Po ashtu, mendojmë se banorët e komunave gjithandej nëpër Kosovë kanë merituar qeverisje të mirë, e cila nuk do t’ju vije atyre prej partive të tjera që janë bashkë me njëra-tjetrën për ta ndarë buxhetin dhe jo për ta ndarë mirëqenien”.
“Lëvizja Vetëvendosje i ka propozuar 29 alternativa të qeverisjes lokale anekënd komunave të Kosovës. Këtë e ka bërë në muajin e fundit para zgjedhjeve. Dhe, nuk mendoj që qytetarët e kanë absorbuar mjaftueshëm alternativën tonë qeverisëse, në mënyrë që ta kuptojnë pse vetëm ne kemi program i cili i zgjidh problemet dhe e nxjerr komunën përkatëse nga kriza”.
“Po ashtu, nuk mund të them që kemi dështuar në këto zgjedhje, meqenëse janë zgjedhjet e para lokale dhe për më shumë që ne nuk udhëhiqemi nga ajo logjika e biznesit sukses-dështim, ofertë-kërkesë. Ne politikën ne e konceptojmë si angazhim, si vullnet, si program, si frymë”.
“Tash po i bëjmë hulumtimet nëpër të gjitha vendvotimet për ta shikuar se si ka pasur korelacion niveli i organizimit tonë me rezultatin në vendvotime të caktuara”.
Albin Kurti mendon se Vetëvendosje ka qenë në një garë të pabarabartë në këto zgjedhje.
“Kemi pasur pak kohë dhe kemi qenë në një garë tejet të pabarabartë, ku ata kanë pasur më tepër hapësirë mediale se sa ne. Ndërkohë qe ne i kemi stërholluar zgjidhjet, sepse mendojmë se nuk ka zgjidhje të shpejtë dhe të lehtë, kurse ata kanë garuar me fytyra njerëzisht, me fytyra të politikanëve të cilët e maskojnë faktin që bëhet fjalë për të njëjtin politikan”.
“Lëvizja Vetëvendosje është ndryshe, është një subjekt i cili identifikohet me konceptin. Mendoj që kjo nuk është absorbuar nga qytetarët, sepse nuk ka pasur kohë të mjaftueshme dhe kemi qenë në një kohë të pabarabartë”.
“Këtë do ta ndryshojmë në zgjedhjet e ardhshme. Këto ishin zgjedhjet e para që ne marrim pjesë.”
“Nuk mendoj që mund të krahasohet rezultati midis zgjedhjeve lokale me parlamentare, sepse natyrat e temave janë krejtësisht ndryshe”.
“Për më tepër, për zgjedhjet nacionale ne kemi elaborime të gjata shumëvjeçare gjatë kohës që ekzistojmë si Lëvizje dhe aty natyrisht do të jetë krejtësisht ndryshe”.
Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do ta përkrahë asnjë parti në balotazh. Por, në anën tjetër, ka thënë se në çdo Kuvend ku hyn Vetëvendosje, dihet që aty situata ndryshon menjëherë dhe përgjithmonë.
Mirëpo, nëse në kuvendet komunale të qyteteve kryesore, përveç Prishtinës, Vetëvendosje është partia e tretë apo e katërt, kurse në anën tjetër nuk janë aleatë me asnjë parti tjetër, cili mund të jetë ndikimi konkret i saj në vendimmarrjen e kuvendeve komunale?
Kurti e pranon që kjo është e vështirë. Por, ka një shpjegim.
“Sigurisht që do të jetë e vështirë, mirëpo edhe më vështirë se kaq është gjendja e rëndë socio-ekonomike, politiko-institucionale në Kosovë. Nuk mendoj që me njerëzit me të cilët nuk kemi besim të ndërsjellë, me njerëzit të cilët nuk kemi përputhje programore, ne do të duhej të bisedojmë tash për ndarjen e posteve. Se kjo është logjika e tyre, ata ndajnë poste”.
“Ne duam të bashkojmë qytetarët për ndryshime. Ju e dini që ne jemi opozitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, një opozitë e cila e ka sjellë edhe parlamentarizmin edhe demokracinë aty. Me asamblistët tanë anekënd Kosovës, do ta bëjmë të njëjtën tash nëpër Kuvendet Komunale”.
“Kuvendet Komunale ndryshojnë përgjithmonë me Vetëvendosjen brenda aty. Me temat që ne i ngrisim, me komentet që i japim, me votimet tona, me debatin që e bëjmë, natyrisht që Kuvendet Komunale do të ndryshojnë menjëherë dhe përgjithnjë me asamblistët e Vetëvendosjes aty”.
Këtyre ditëve, në disa komuna, në Pejë, Gjilan, kemi parë koalicione mes dy partive që janë të njohura për shkëmbimin e akuzave të mëdha mes veti, PDK dhe AAK.
Edhe në Prizren janë bashkuar dy ish kundërshtarë të mëdhenj, Eqrem Kryeziu dhe Zafir Berisha.
Lëvizja Vetëvendosje mund të besojë se i ka planet më të mira për qeverisje nëpër komuna, por nëse nuk bën koalicione me partitë tjera, do të jetë e vështirë që të mund t’i realizojë ato.
Megjithatë, Albin Kurti ka një pikëpamje interesante. Thotë se nuk varet prej Vetëvendosjes ardhja e tyre në pushtet, por varet nga vullneti i popullit.
“Ne duam të vijmë në pushtet, në pushtetin i cili është qeverisje dhe shërbim, e jo sundim e keqqeverisje. Por, këtë duhet ta thotë populli në zgjedhje. Nuk varet prej neve kur do të vijmë në pushtet, varet prej qytetarëve”.
“Qytetarët e kanë një shansë të jashtëzakonshme që me 1 dhjetor ta votojnë Shpend Ahmetin, dhe asisoj të kenë një Kryetar tjetërfare në Komunën e Prishtinës. Ky kaosi urbanisitik, i cili është aq i madh, e që s’mund të jetë i rastësishëm, por që vetvetiu pothuajse është njëfarë kaosi me paramendim, të marrë fund njëherë e përgjithmonë”.
“Pra, mendoj që qytetarët janë ata të cilët e thonë fjalën e tyre për neve.”
“Në këto zgjedhje, ne e kemi parandaluar vjedhjen industrial të votave, mirëpo ka pasur blerje industriale të votave. Tash me komisionerë dhe vëzhgues tanë me 1 dhjetor, do të bëjmë gjithçka ta ndalim edhe blerjen industriale, dhe kësisoj ta tejkalojmë dallimin e vogël që ekziston mes Shpend Ahmetit dhe Isa Mustafës”.
“Edhe për Shpend Ahmetin nuk kanë votuar pikë së pari aktivistët e Vetëvendosjes si aktivistë të Lëvizjes sonë, por kanë votuar si qytetarë të Republikës, si banorë të Komunës, si njerëz të këtij vendi që gjithsesi duan ndryshime pozitive”.
“Edhe në balotazh me datën 1 dhjetor ne nuk bëjmë pazare me partitë e tjera, duke i konsideruar anëtarët e partive të tyre si prona të drejtuesve të partisë. Aktivistët e Vetëvendosjes nuk janë objekte, ato janë subjekte, dhe njësoj i konsiderojmë anëtarët e partive të tjera”.
“Pra, ne nuk jemi aspak të kënaqur me udhëheqjen e partive të tjera, por kemi respekt për anëtarësinë e cila është pjesë e këtij populli, pjesë e banorëve të Komunës, dhe ju bëjmë thirrje që të votojnë për ndryshime. Por, nuk dua që vota e tyre të jetë pjesë e një pazari që e bëjmë me partitë e tjera, pasi që ky është ofendim për votuesin”.
“Ne e respektojmë votuesin, kërkojmë votën e tyre, ta shfrytëzojnë atë, mundësia është 1 dhjetori, garancia është Shpend Ahmeti, por nuk duam që me ndërmjetësim t’u qasemi atyre”.
“Me siguri që në kuadër të Asamblesë Komunale në Prishtinë, do të ketë edhe asamblist të partive të tjera që do ta mbështesin Shpend Ahmetin dhe ne ata i shikojmë si asamblist që kanë fituar individualisht, aty do të ketë mundësi që të bëhet ndonjë koalicion”.
“Ta keni parasysh se fitorja e Shpend Ahmetit është shumë e rëndësishme, pasi që Kryetari i Komunës së Prishtinës ka bukur shumë pushtet. Me anë të kësaj do të mund të krijoheshin kushtet që edhe në Asamblenë Komunale të Prishtinës të ketë një koalicion me VV’në, por jo nëpërmjet pazareve të drejtuesve të partive, sepse kjo e ka mbytur edhe pluralizmi, edhe frymën demokratike në Kosovë”.
Aktualisht Qeveria Thaçi ka probleme të mëdha me numrin e deputetëve në Kuvend, ndërsa pritet që kah mesi i vitit të ardhshëm të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.
Pasi koha mes dy proceseve zgjedhore është e shkurtër, a mendon Lëvizja Vetëvendosje se rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit mund të ndikojnë në inercionin e votuesve edhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme?
Sa mund ta dëmtojë kjo Lëvizjen Vetëvendosje, sepse do të jetë viti i parë i udhëheqjeve komunale dhe kryetarët e rinj mbase do të përkushtohen më shumë në punë dhe në investime, dhe do të synojnë të krijojnë përshtypje pozitive tek elektorati?
Albin Kurti thotë se Vetëvenosje kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, sa më shpejt – aq më mirë.
“Natyrisht, synon edhe të fitojë”.
“Por, ne duhet të jemi në përputhje programore, në besim të ndërsjellë, edhe subjekti i parë që ka fituar, në mënyrë që të mendohet edhe për ndonjë koalicion me elementet e drejta dhe të vërteta të partive tjera”.
E elementet tjera, sipas tij, janë ndershmëria, guximi dhe sinqeriteti. Thotë se tek partitë tjera në Kuvendin e Kosovës nuk i konsiderojnë njësoj të gjithë.
“Paramendoni dallimin në mes të Latif Kryeziut dhe Hydajet Hysenit, ata në një parti janë. Dallimi në mes Naser Osmanit, një personi tërësisht neoliberal për nga bindjet dhe Hykmete Bajramit, e cila është tërësisht social-demokrate. Pra, partitë politike në Kosovë janë heterogjene, për shkak se janë të lidhura me persona dhe personalitete, e jo me konceptet dhe programet”.
Kurti thotë se ka vota parlamentare për të rrëzuar Qeverinë e Kosovës, me një mocion të mosbesimit.
“Ne këtë nismë e kemi marrë qysh në dhjetor të vitit 2011. Në fillim të vitit 2013 i kam takuar kreun e LDK’së dhe AAK’së me një propozim konkret të shtruar për debat me ta, për të krijuar një bllok opozitar, i cili do të bënte komisione hetimore për SHIK’un, Bechtel-Enka’n, KEK’un, PTK’në, RTK’në, e të ngjashme, dhe gjithashtu i njëjti do të organizonte seanca të jashtëzakonshme për tema shumë të rëndësishme që nuk po trajtohen tek ne”.
“Mirëpo, nuk kemi hasur në mirëkuptimin e tyre. Duket që më të interesuar janë të analizojnë e të paramendojnë se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm sesa të mendojnë se si ta rrëzojnë këtë Qeveri e cila po i kushton kaq shumë Kosovës”.
“Ne e kemi votën popullore e cila sot është në anën e opozitës, siç është edhe vota parlamentare, por problemi është që i kemi disa opozitarë në Kuvendin e Kosovës që janë më pozitë se vetë pozita, të cilët i janë nënshtruar Kryeministrit Hashim Thaçi”.
“Problemi i Kuvendit të Kosovës është se ka më shumë opozitarë brenda pozitës sesa që ka brenda partive LDK e AAK. Mendoj se është për të ardhur keq, sepse qytetarët i kanë votuar këto dy parti edhe kundër PDK’së e kundër Qeverisë Thaçi, mirëpo tash po shihet që në fakt këta njerëz janë në opozitë vetëm pse nuk kanë poste ministrore”.
Kurti thotë se së pari duhet të kemi zgjedhje të ndershme, të lira dhe demokratike, në të cilat nuk ka as vjedhje e as blerje industriale të votave.
“Të kemi një garë shumë më të barabartë sesa që e kishim deri më tash. Besoj që Vetëvendosje do të korrë sukses në zgjedhjet e ardhshme dhe në atë mënyrë t’i fillojë ndryshimet e mëdha në të gjithë Kosovën, sepse kur fitojnë këto partitë tjera, fitojnë persona të veçantë dhe humbet populli. Ndërsa, kur fiton Vetëvendosje, atëherë fiton i gjithë populli dhe nis puna, për dallim prej atyre, që kur fitojnë në zgjedhje, mbaron puna”.