Abrashi pretendon për zvogëlim papunësie prej 19 për qind
Ministria e punës dhe mirëqenies sociale në Kosovë do ta veçojë vitin 2016 për një rënie të shkallës së papunësisë prej 9%; për 14 mijë vende pune të identifikuara, për 6 mijë vendeve të punës me marrëveshje ndërmjetësimi; për rreth 7 mijë viza pune në marrëveshje me Gjermaninë, për 10 milionë kursime prej menaxhimit të mirë të skemave të ndryshme sociale dhe pensionale.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2017/01/abrashi-info.jpg)
Lajme
Në një intervistë për Radio Kosovën, ministri Arban Abrashi thotë se në 2017 do të vazhdojnë me politika të punësimit dhe rëndësi e veçantë do t’i kushtohet të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.
Radio Kosova: Z. Ministër do të nisim me një pasqyrë të punësimit që keni realizuar, apo keni ndërmjetësuar në 2016. Është thënë që ka pasur një rënie të shkallës së papunësisë në Kosovë këtë vit?
Arban Abrashi: Edhe viti 2016, i përcjellë nga 2015-ta, me një aktivitet më të shtuar ekonomik, që është reflektuar edhe nga raportet e Bankës Botërore dhe të institucioneve tjera relevante që merren me këtë problematikë. Gjithahstu është një rangim më i mirë i të bërit biznes, përsëri nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare dhe së fundmi është reflektuar edhe në raportin e Agjencisë së Statistikave që tregon një rënie prej mbi 9 %, në tremujorin e dytë të vitit 2016. Realisht kjo është reflektuar nga politikat më të mira fiskale, nga një ambient më i mirë i të bërit biznes. Por, duhet të jemi të sinqertë, ka edhe efekte të luftimit të informalitetit, prandaj edhe e kemi këtë shifër. Këto statistika bëhen në bashkëpunim të plotë, monitorim dhe mbikqyrje të vetë EROSTAT-it, statistika të cilat janë shumë relevante dhe shumë të besueshme. Ne si ministri edhe këtë vit e kemi kryer rolin tonë në fushën e punësimit përmes skemave të cilat i menaxhojmë. Edhe në 2016 kemi vazhduar me skemat e zakonshme, siç është skema e subvencionimit të pagës, skema e trajnimit në punë, trajnimit për vetëpunësim, grantet të vogla për vetëpunësim. Gjithashtu me Gjermaninë pas marrëveshjes që kemi, një numër i madh i kosovarëve ka shfrytëzuar mundësinë të shkojë dhe të punojë në Gjermani, në baza të përkohshme. Janë diku disa mijë që e kanë shfrytëzuar këtë mundësi. Përveç skemave të punësimit, edhe shërbimi i punësimit e ka pasur rolin e vet të rëndësishëm. Shërbimi i punësimit ka pasur performancë të mirë sa i përket identifikimit të vendeve të lira të punës dhe ndërmjetësimit të vendeve të punës mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve.
Radio Kosova: Sa është numri i të papunëve aktualisht?
Arban Abrashi: Shkalla e papunësisë sipas të dhënave deri në muajin qershor 2016 është 26.2%, sipas eurostatit. Kurse në shërbimin tonë të punësimit, që është sistem tjetër, i cili na shërben neve që të ndërmjetësojmë punësime dhe të organizojmë trajnime, janë diku 130 mijë punëkërkues aktivë, të cilët kërkojnë vende të punës. Por nuk do të thotë që të gjithë janë të papunë, sepse një numër i tyre ka një vend pune, por kërkon vend më të mirë të punës, apo regjistrohet për të përfituar edhe trajnimet të cilat ne i ofrojmë.
Radio Kosova: Sa marrëveshje me bizneset keni realizuar për punësimin në Kosovë në 2016?
Arban Abrashi: Mbi gjashtëmijë ndërmjetësime janë bërë në procesin e punësimit, të cilat i ka bërë Shërbimi i punësimit. Është arritje e mirë dhe është solide karshi kërkesave dhe mundësive që i kemi teknike dhe humane të shërbimit të punësimit. Ne kemi zyre në gjithë Kosovën, por ndonjëherë na duhen edhe pajisje tjera për punë… E mira është që ne kemi pasur shumë marrëveshje me partnerë tjerë, që me punën e tyre i kanë shërbyer këtij misioni të ministrisë. Me shumë aktivitete kemi bërë ndërmjetësime, hapje të vendeve të reja të punës, indentifikime të vendeve të punës, edhe me odat përkatëse, qoftë me OEK, OEA me AKB dhe oda tjera në Kosovë, si dhe me partnerë tjerë ndërkombëtarë, të cilët qoft me fonde të përbashkëta, qoft me mirëkuptim, e kemi realizuar një numër të madh të trajnimeve ose të identifikimeve të vendeve të punës ose grante…
Radio Kosova: A është e vështirë të harmonizoni kërkesat e bizneseve me aftësitë apo përgatitjen e punëkërkuesve, kur ndërmjetësoni në një marrëveshje punësimi?
Arban Abrashi: Një prej sfidave më të mëdha është ky hendeku i shkathësive. Njerëzit shpeshherë mendojnë se kërkojnë punë dhe duhet të gjendet punë, qoft edhe dikush që ka kryer një shkollë të lartë apo edukim universitar. Por, realisht është tregu i punës ai që dikton kërkesat dhe nevojat. Është paradoksale. Ne si ministri ballfaqohemi në baza javore nga industria e tekstilit, nga industria e drurit, nga industria e metalit. Mos të flasim për industrinë e fushës së teknologjisë. Ka një përmirësim të mirë në 2016 të fusha e përpunimeve ushqimore, por fushat që i përmenda më sipër mbesin prioritet i lartë. Kemi vende të lira të punës në masë të madhe në këto industri, të cilat nuk po mund të plotësohen shkaku i mungesës së shkathtësive. Prandaj edhe kemi ndërmarrë numër të madh të trajnimeve, ose hapjes së qendrave përkatëse. I kemi bërë fleksibile që t’iu përshtatemi kërkesave për këto fusha. Por, kjo ka të bëjë me një kulturë të përgjithshme, ku secili duhet të orientojë edukimin apo arsimimin ta bëjë në fushën e shkencave sociale. Por tregu i punës si në Kosovë, si në Evropë ka nevojë për profile të tjera që ndërlidhen me shkathtësi pak më teknike. Prandaj iu sugjerojmë të gjithëve që të ndjekin kurset tona apo në fillim të shkollimit të tyre të konsultohen me zyrtarë të punësimit, por të konsultojnë edhe raporte tjera të shohin si janë trendet e punësimit në Kosovë por edhe në botë.
Radio Kosova: Në fillim të muajit dhjetor ju ishit në Dortmund të Gjermanisë dhe nga atje keni thënë se modeli dual i aftësimit profesional është mundësi e mirë e punësimit të të rinjve në Kosovë. Çfarë është ky koncept, apo përgatitje?
Arban Abrashi: Ky është një model që ministria e arsimit veç ka filluar ta praktikojë. Ndihem pak krenar edhe unë edhe bashkëpunim që kemi pasur me ministrin e arsimit dhe të gjitha debatet që i kemi pasur për aftësim profesional dhe shkolla përkatëse të kompetencës. Ky debat ka zgjuar interesim tek të rinjët. Është hera e parë që në 2016 ne i kemi të plotësuara të gjitha vendet në shkollat e kompetencës ose në shkolla teknike. Pra është zgjue vetëdija dhe të rinjët po regjistrojnë këto shkolla, sepse patjetër se e kanë një vend të sigurt të punës. Ajo çka ne kemi vërjetur me sistemin dual, është se ne kemi vënë re se është një prej sistemeve që funksionon më së miri në Gjermani, në Austri, në këto vendet gjermanofolëse le të themi. Jam i vetëdijshëm se nuk mund ta kuptojmë të tërin në Kosovë, sepse është një sistem që me shekuj funksionon në Gjermani. Por, ministria e arsimit me komunitetin e biznesit, përmes odave, veç ka filluar ta praktikojë këtë sistem, ku të rinjët në shkollat e kompetencës qëndrojnë disa ditë dhe dy tri ditë tjera i realizojnë në bizneset të cilat janë tani partnere të ministrisë së arsimit.
Radio Kosova: Sa persona kanë arritur të shkojnë deri tani të punojnë në Gjermani, sipas marrëveshjes që keni. Si do të vazhdojë ky proces në 2017?
Arban Abrashi: Të jap një kronologji, në vitin 2015 kemi bërë lobim, sepse kemi menduar që është një mundësi e mirë, sepse të rinjët të cilët punojnë në Gjermani, marrin shkathtësi dhe të mira materiale, patjetër, të cilat nuk kishin mund t’i sigurojnë në Kosovë. Ata kthehen me ato shkathtësi dhe mund të zhvillojnë bizneset ose i plotësojnë kërkesat e sektorit privat në Kosovë. Është arritur një mirëkuptim nga qeveria gjermane dhe ka hapur rrugë nga viti 2016, që nga janari qytetarë të Kosovës, me plotësimin e disa kritereve, që janë fare të lehta, mund të konkurrojnë në vende të punës në Gjermani. Ne tani në bazë të statistikave të Agjencionit të Punës në Gjermani, i përcjellim si janë trendet e lëshimit të lejeve të punës, që dallojnë edhe nga vetë punësimi. Ne e kemi një kuotë prej pesë mijë viza pune, leje pune në Gjermani dhe mendoj se tashmë është plotësuar kjo kuotë, apo është afër. Ne i përcjellim këto trende. Agjencioni i punës në Gjermani deri në tetor ka lëshuar diku rreth 7000 (shtatëmijë) leje pune. Jo të gjithë shkojnë, sepse disa ndryshojnë mendje. Ky liberalizim i tregut, apo lehtësim i tregut gjerman, nënkupton që mundësia e Kosovës është e hapur që nga viti 2016 deri në 2020. Mendojmë që është një mundësi e mirë dhe i kemi parë edhe efektet tjera pozitive. Për shembull, migrimi ilegal ka rënë në zero. Tani të rinjët apo të cilët janë të interesuar, e kanë një mundësi, shkojnë i shohin kushtet, e provojnë punën dhe kthehen dhe nuk ndjekin më rrugë të rrezikshme të ikjes, sepse ka pasur edhe shumë fatkeqësi.
Radio Kosova: Do të kalojmë te pensionet, një komponentë shumë e ndejshme në ministrinë tuaj. Cilat kategori pensionesh i mbuloni?
Arban Abrashi: Me shumicën e skemave kemi pasur një përformancë shumë të mirë. Me penisonistë kontributdhënës që janë diku rreth 41 mijë, kemi pasur kategorizimin dhe tani kemi pensione modeste dhe shumë të mira në krahasim me rajonin dhe besoj që është menaxhuar mirë kjo skemë. Te pensionistët bazikë kemi pasur një udhëzim administrativ, që ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2016 dhe ka të bëjë me respektimin më të mirë të legjislacionit. Me këtë udhëzim parashihet që vetëm pensionistët që janë banorë të përhershëm të Kosovës të marrim pensione dhe kjo ka bërë që të suspendojmë mbi 18 mijë pensionistë të cilët nuk kanë mund të dëshmojnë se janë banorë të përhershëm të Kosovës. Ata përsëri e kanë derën hapur dhe mundësinë, e sjellin dokumentin që janë banorë të përhershëm. Por herën e fundit që kam shikuar raportin, e kam parë që mbi 18 mijë nuk kanë arritur të dëshmojnë se janë banorë të përhershëm në Kosovë… ky numër edhe rritet ndërkohë. Kjo tregon se kemi bërë një performancë të mirë të kursimeve. Të paktën 10 milionë euro i kemi kursyer vetëm nga ky udhëzim dhe besoj se edhe kjo skemë është në menaxhim të mirë. Skema tjera funksionojnë sipas planeve të mëhershme, si skema e pensionistëve të Trepçës, FSK-së, TMK-së, personave me aftësi të kufizuara, skema e asistencës sociale, e cila poashtu është menaxhuar mirë. Për këtë të fundit kemi instaluar një sistem të menaxhimit të informatave dhe e kemi lidhur me ATK-në, të shohim se ata që përfitojnë nga asistenca sociale mos kanë të hyra tjera dhe këtu kemi identifikuar një numër të madh të familjeve që kanë pasur të hyra dhe janë futur në skemë, sepse listat përgatiten nga komunat. I kemi larguar diku 4 mijë familje për dy vjet, që kanë pasur të hyra.
Radio Kosova: Numri i këtyre familjeve ndryshon, disa hyjnë e disa dalin nga skema?
Arban Abrashi: Po, në baza mujore aplikojnë. Por tash numri është stabilizuar diku 25 mijë familje. Prej tyre diku rreth 12 mijë kanë një person të aftë për punë në familje dhe për këtë qëllim ne kemi inicuar një skemë të re të punësimit, që targteton vetëm këto familje. E kemi ndarë një fond për 500 persona, që i bie për 500 familje dhe ideja është që në njërën anë ne t’i ndalojmë ndihmat sociale dhe t’i japim një përfitim prej 130 euro, në qoftë se punon në një kompani private me kusht që edhe ajo kompani t’i japë një pagë në mënyrë që të largohet nga skema e asistencës sociale. Sfida kryesore është skema e pensioneve të veteranëve të luftës
Radio Kosova: Këtu desha të dal dhe do të ndalemi pak më shumë te çështja e pensioneve të veteranëve të luftës. Si do të vazhdojë zbatimi i skemës për këtë kategori?
Arban Abrashi: Ne kemi filluar një proces të konsultimit me shoqatat e veteranëve të luftës së UÇK-së. Tani kemi plotësim ndryshimin e ligjit. Janë disa ide që ne i kemi trajtuar. Njëra prej tyre ka qenë ridefinimi edhe njëherë më saktë i nocionit apo statusit të veteranit luftër, do të thotë saktë se kush ka qenë një luftëtar. Pastaj edhe benificione tjera, sikurse sigurime shëndetësore e të tjera… Ajo që ka ndodhur me skemën, dhe të gjithë jemi dëshmitarë, që një numër i madh i veteranëve ka lëshuar punën dhe kënaqet me atë pension, ose ajo që është më e keqja, që e mer atë pension dhe punon në informalitet.
Radio Kosova: Çfarë liste keni tani, sa është shifra e saktë e veteranëve që janë në këtë skemë?
Arban Abrashi: Ne kemi komisionin qeveritar, i cili ka bërë verifikimin e luftëtarëve, pjesëtarëve dhe të tjerëve dhe është dorëzuar një listë me 46 mijë veteranë të UÇK-së muaj më parë në qeveri. Ne tani sigurojmë fond sipas ligjit dhe ligji parasheh që ata që janë në këtë listë, nuk punojnë, nuk kanë të hyra, ata mund të përfitojnë pension, duke plotësuar disa dokumente të nevojshme. Shifrat e muajve të fundit të 2016-s janë diku 29 mijë veteranë të UÇK-së që kanë aplikuar, plotësojnë kushtet dhe marrin pensione.
Radio Kosova: Çfarë shihni sfidë më të madhe te zbatimi i kësaj skeme?
Arban Abrashi: Sfidë i kemi pamundësitë buxhetore që të përmbyllet kjo skemë. Ne kemi 38 milionë euro në buxhetin e vitit 2017 për këtë skemë.
Radio Kosova: A është qartësuar përfundimisht çështja e pensioneve të Zvicrës
Arban Abrashi: Me pensionet e Zvicrres ka pasur një zhvillim shumë pozitiv, të cilin ne me qëllim e kemi mbajtur në heshtje. Ashtu kanë qenë sugjerimet dhe kemi menduar që të mos zgjojmë kurreshtje të madhe te partitë opozitare në Zvicërr, në mënyrë që të parandalojmë projektin. Ne kemi bërë një pilotmarrëveshje. Një marrëveshje që nënkupton testimin e sistemit tonë nga ana e autoriteteve zvicërrane, nëse është sistem adeukat, profesional dhe nëse do të jemi të mundur të reagojmë karshi kërkesave të tyre. Ashtu siç shihet edhe me marrëveshje tjera. Ne e kemi bërë këtë marrëveshje që nga janari i 2016 dhe sistemi ynë pensional ka treguar një performancë të mirë për tetë muaj duke shkëmbyer informata dhe të dhëna përkatëse dhe duke qenë korrketë me autoritetet zvicërrane. Kjo ka bërë që autoritetet zvicërrane të rekomandojnë qeverisë të hapë negociata dhe të bëjë marrëveshje në fushën pensionale. Kjo iniciativë ka kaluar pozitivisht në qeverinë zvicërrane me 16 nëntor 2016 dhe ne presim që do ta kemi takimin në janar të ekipeve negociatore të të dy shteteve në mënyrë që të përmbyllim marrëveshjen në fushën e pensioneve, sigurimeve të përgjithshme shoqërore, me shtetin zvicërran.
Radio Kosova: Sa është buxheti i ministrisë suaj për 2017?
Arban Abrashi: Ne në ministri do të kemi një buxhet diku afër 380 milionë euro, por ky buxhet është shtuar në 2016 edhe me rishikime të skemave.
Radio Kosova: A mund t’i mbuloni gjithë këto kërkesa dhe nevoja?
Arban Abrashi: Kërkesa ka dhe më shumë, por besoj që do t’ia dalim me politikat e kursimit, në instalimin e sistemit të menaxhimit më të mirë të shpërndarjes së financave dhe besoj që do t’ia dalim. Do të kursejmë dhe do t’i menaxhojmë edhe më mirë skemat. Është start më i mirë se sa vitin e kaluar.
Radio Kosova: Cilat do të jenë punët e para në janar 2017?
Arban Abrashi: Do të fokusohemi ende te politikat e punësimit, posaqërisht tek trajnimet, qoftë për të përmbushur kërkesat e tregut të punës, por edhe për të udhëzuar të rinjët që të jenë të vetëpunësuar, të nxisim sa më shumë ndërmarrësinë. Por do t’i japim rëndësi të veçantë edhe të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.