Abrashi: Finalizohet marrëveshja Kosovë – Zvicër për pensionet

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka bërë me dije se është finalizuar marrëveshja për pensionet mes Kosovës dhe Zvicrës.

Lajme

29/04/2017 22:14

Përmes një postimi në Facebook, Abrashi ka treguar se gjatë javës që po lëmë pas në Prishtinë është zhvilluar raundi i dytë i negociatave për marrëveshje bilaterale në fushën e sigurimeve sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës.

Postimi i plotë në Facebook:

Marrëveshja Kosovë – Zvicër në fushën e pensioneve, finalizohet

Gjatë javës në Prishtinë u zhvillua raundi i dytë i negociatave për marrëveshje bilaterale në fushën e sigurimeve sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës.

Me këtë rast, arritem të finalizojmë marrëveshjen bazë për sigurimet sociale, marrëveshjen administrative për implementimin e marrëveshjes bazë, si dhe formularët e nevojshëm për implementimin e kësaj marrëveshje.

Gjatë muajit Maj, dokumentet do të përkthehen në gjuhët përkatëse, do të kalojnë nëpër procedurat e nevojshme shtetërore dhe të përgatiten për procedim.

Marrëveshja mundëson që qytetarët tanë të shumtë që kanë punuar në Konfederatën Zvicerane, të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës, të bashkojnë periudhat e kontributeve dhe të drejtat tjera nga fusha e sigurimit social, me rastin e arritjes së moshës së pensionit ose raste tjera siç parasheh legjislacioni.

Urime bashkëatdhetarëve tanë në Zvicër.