Abdixhiku viziton në shtëpi Gazmend Muhaxherin pas sulmit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka vizituar sot kryetarin e Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, pas sulmit ndaj tij nga persona që tashmë janë arrestuar. Abdixhiku gjatë kësaj vizite i ka bërë thirrje autoriteteve të rendit dhe atyre të drejtësisë që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm dhe të menjëhershëm në zbardhjen…

Lajme

26/10/2024 16:27

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka vizituar sot kryetarin e Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, pas sulmit ndaj tij nga persona që tashmë janë arrestuar.

Abdixhiku gjatë kësaj vizite i ka bërë thirrje autoriteteve të rendit dhe atyre të drejtësisë që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm dhe të menjëhershëm në zbardhjen e plotë të sulmi.

“Vizituam mikun tonë Gazin dhe familjen e tij, në shtëpinë e tij në Pejë. E gjetëm edhe më të fortë e edhe më të vendosur në misionin e tij shembullor të udhëheqjes së Pejës – qytetit për të cilin punon me guxim, pasion e energji të pashtershme. I bëj thirrje edhe një herë autoriteteve të rendit e drejtësisë t’i marrin hapat e domosdoshëm dhe të menjëhershëm në zbardhjen e plotë të këtij akti të ulët; e në mbajtjen përgjegjës të autorëve që me dhunë e intimidim provojnë të ndalin një udhëheqës të lirë, me plot vullnet e energji”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar fizikisht sot në mëngjes në rrugën “Bill Clinton” në Pejë.

Muhaxheri ka njoftuar se pas sulmit të befasishëm është shëndosh e mirë, duke falënderuar të gjithë ata që janë interesuar për shëndetin e tij.

Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje shtesë në lidhje me sulmin ndaj kryetarit të kësaj komune Gazmend Muhaxheri.

Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka bërë të ditur për KosovaPress se me këtë rast janë arrestuar dy persona, të cilët pas intervistimit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Aktualisht prokurorja e çështjes është duke përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për dy persona, të cilët kanë kryer vepra penale sulm ndaj personi zyrtar dhe lëndim i lehtë trupor”, ka thënë Nikçi.

Gjithashtu në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që të sqarohen të gjitha rrethanat e këtij rasti.