Abdixhiku uron SHBA-të për 248 vjetorin e pavarësisë

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me rastin e 248 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve, ka uruar shtetin amerikan në këtë ditë të rëndësishme. Abdixhiku tha se shpallja e pavarësisë së SHBA-ve më 4 korrik të vitit 1776 identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë, shkruan…

Lajme

04/07/2024 09:25

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me rastin e 248 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve, ka uruar shtetin amerikan në këtë ditë të rëndësishme.

Abdixhiku tha se shpallja e pavarësisë së SHBA-ve më 4 korrik të vitit 1776 identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë, shkruan lajmi.net.

“4 korriku i vitit 1776, shpallja e pavarësisë së SHBA-ve padyshim shënon datën e lindjes së një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, SHBA-të janë themelues dhe pishtar i të drejtës universale për të jetuar të lirë secili popull kudo në botë.”

Ai tutje thotë se SHBA-të janë sinonimi i kombit të madh që angazhohet për lirinë dhe paqen në botë.

“Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i kombit të madh, që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt. Ato janë motiv dhe model i shumë popujve anekënd globit për liri, paqe e demokraci.”

Abdixhiku më tej ka thënë se SHBA-të janë aleati kryesor i përhershëm dhe strategjik i Kosovës. Ndërsa ka theksuar se si SHBA-të e ndihmojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Edhe për Kosovën SHBA-të kanë qenë, janë dhe do mbesin aleat i përhershëm strategjik, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit. Aleanca me ShBA-të është e përmbledhur qartë në postulatin e atit themeltar të Republikës, Presidentit Historik Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Vizioni politik i yni është i qartë; duhet ta ndjekim orientimin natyral politik drejt vlerave perëndimore e integrimin në strukturat euro-atlantike.”

“Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë. Urime Ditën e Pavarësisë SHBA! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë në mes dy vendeve tona!” /Lajmi.net/