Abdixhiku, PDK-së dhe AAK-së: Për shkak të votës së tyre Dimal Basha është kryetar Kuvendi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër partitë e tjera ish-opozitare të Kuvendit, që kanë votuar pro zgjedhjes së Dimal Bashës për drejtues të institucionit më të lartë në vend. Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai është shprehur se ky është një gabim politik i pafalshëm. “E para e punës…

Lajme

10/09/2025 21:59

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër partitë e tjera ish-opozitare të Kuvendit, që kanë votuar pro zgjedhjes së Dimal Bashës për drejtues të institucionit më të lartë në vend.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai është shprehur se ky është një gabim politik i pafalshëm.

“E para e punës është se kanë mundësuar një figurë të tillë ta vendosin në krye të vendit”, ka thënë Abdixhiku.

I pari i LDK-së është pyetur në emision se pasi është zgjedhur Basha për kryeparlamentar doli se ai ka punuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vetë Republikës.

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, iu drejtua Abdixhikut duke i thënë se “A mendoni që mjafton të mos pajtoheni me këtë zgjedhje dhe të mos ndërmerrni asnjë veprim tjetër për të mos e pranuar në asnjë rast Zotëri Bashën për kryetar Kuvendi?”.

“Në radhë të parë, këtë pyetje duhet t’ia shtroni atyre që e kanë votuar Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit. LDK-ja nuk e ka votuar dhe nuk e ka pranuar atë për kryetar. Ka dy parti të tjera politike që nuk janë pjesë e ndonjë marrëveshje politike, dhe duhet ta arsyetojnë”.

“Pra, për shkak të votës së tyre, sot Dimal Basha është kryetar i Kuvendit, në të kundërtën ai nuk do të ishte aty. Adresa e pyetjes dhe llogaridhënies duhet të bëhet ndaj atyre që e kanë sjellë (Bashën) aty”, ka theksuar Abdixhiku.