Abdixhiku ofron dorëheqjen: Më shumë se kaq nuk kam çfarë të jap

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen e tij, duke e cilësuar këtë si hapin më moral që një kryetar partie mund ta ndërmarrë. Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka bërë të ditur se pas një diskutimi të gjatë brenda strukturave të LDK-së, që ka zgjatur mbi…

Lajme

14/01/2026 19:00

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen e tij, duke e cilësuar këtë si hapin më moral që një kryetar partie mund ta ndërmarrë.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka bërë të ditur se pas një diskutimi të gjatë brenda strukturave të LDK-së, që ka zgjatur mbi pesë orë, është arritur një qëndrim i përbashkët i shumicës, i cili, sipas tij, është shprehur me përgjegjësi dhe dinjitet para qytetarëve.

Ai ka theksuar se nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe se është i gatshëm për reflektim, duke shtuar se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas LDK-së si institucion.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time dhe kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Vendimi tani nuk është më i imi, por i LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka bërë të ditur se është thirrur Kuvendi i LDK-së, ku, sipas tij, do të zhvillohet debat i hapur dhe do të merren vendime në mënyrë demokratike.

Abdixhiku ka theksuar se fati i tij politik do të vendoset përballë LDK-së dhe jo mbi të, duke garantuar se do ta respektojë çdo vendim që do të marrë Kuvendi i partisë.

Në fund, ai ka bërë thirrje për qetësi, përgjegjësi dhe dinjitet, duke theksuar se mbi çdo emër qëndron Lidhja Demokratike e Kosovës. /Lajmi.net/