Abdixhiku: Mosbashkëpunimi sot me VV-në, një nga vendimet më kombëtare të LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, si uzurpator të shtetit, tash, sipas tij, me vendim të Gjykatës Supreme. Sipas Abdixhikut, Kurti po qëndron në qeveri vetëm e vetëm se ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që…

Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, si uzurpator të shtetit, tash, sipas tij, me vendim të Gjykatës Supreme.
Sipas Abdixhikut, Kurti po qëndron në qeveri vetëm e vetëm se ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon ta bëjë një gjë të tillë.
“Albin Kurtit duhet t’i thuhet ‘respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme’, që të ndalon ty, ministrat e tu dhe gjithë kabinetin që të jeni njëkohësisht edhe deputetë edhe anëtarë të qeverisë.
“Albin Kurtit duhet t’i thuhet ‘respekto Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe të gjitha ftesat e marra për dëshmitar’ në kurdisje tenderësh në energjetikë e në rezerva shtetërore. Ky vend është i lodhur nga politikanë që s’respektojnë as ligjin, as shtetin, as prokurorët”, tha Abdixhiku.
Tutje, ai refuzimin për mosbashkëpunim e LDK-së me VV-në e quajti si “një nga vendimet më kombëtare”.
“Refuzimi për të bashkëpunuar me politikën e Albin Kurtit, sot përfaqëson një nga vendimet më kombëtare të Lidhjes Demokratike të Kosovës sepse është përgjegjësi e jona që të emancipojmë skenën politike me veprimet tona”.
“Kosova s’e njeh, s’e ka njohur dhe nuk do ta njeh gjuhen e urrejtjes. Nuk guxon ta normalizojë politikën e propagandës dhe imponimit, dhe mbi të gjitha, respektimin e vet shtetit”, tha Abdixhiku, njofton Klankosova.tv.
Më tej, kreu i LDK-së tha se afërsia me VV-në në këtë gjendje, është legjitimim i politikës së Kurtit dhe është dorëzim para se keqes.
“Prandaj, u duhet reformë e thellë, përpara çdo bashkëpunimi me ne. Për këtë gjendje ndoshta do të mbajmë përgjegjësi dhe vetë, janë politika tona të gabuara që kanë sjellur popullizmin dhe mediokritetin tashmë si vlerë e që duhet ta luftojmë secilën ditë”, tha ai.