Abdixhiku: Kosova ka ngecur me Kurtin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se është rritur deficiti tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë euro për katër vite. Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook ka thënë se ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varfër në importe në…

Lajme

09/09/2024 11:02

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se është rritur deficiti tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë euro për katër vite.

Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook ka thënë se ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varfër në importe në Evropë.

“Kosova ka ngecur me Kurtin! Kur nuk ke ide se nga shkon, kur nuk ke vizion të qartë mbi rrugën përpara, kur vepron në mjegull ekonomike, secili hap të duket një ecje përpara. Fatkeqësisht, për vendin tonë, hapat ekonomik të katër viteve të fundit janë hapa të mëdhenj prapa! Jemi pak muaj larg para se Kosova, për herë të parë në gjithë historinë e saj, të kaloj deficitin tregtar prej plot 5 miliardë eurove në vit. Kaq është diferenca mes mallrave që i blejmë dhe atyre që i shesim. 5 miliardë euro blejmë më shumë se sa që shesim – në një vit. Rreth 50-60 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme me këtë trend”, ka shkruar Abdixhiku.

Për këtë ai ka akuzuar kryeministrin Kurti duke thënë se kjo gjendje është si rezultat i punës së tij.

“Paaftësia kushton. Investime nuk ka. Projekte të mëdha nuk ka. Bizneset janë shtypur e varësia në import po thellohet secilin muaj. Qeveria populliste dhe Kurti nuk e kuptojnë ekonominë. Kaq dijnë, kaq bëjnë. Këta për katër vite kanë rritur deficitin tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë. Ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varur në importe në Evropë. Me kaq hendek, me kaq dallim, do të na duhen vite për të marrë veten”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërkaq i par i LDK-së u shpreh se 9 shkurt do të jetë data kur do të bëhet ndryshimi i madh në vend. /Lajmi.net/